Ankaraja do ta vazhdojë mbështetjen e saj për një zgjidhje dyshtetërore në Qipro bazuar në barazinë sovrane të palëve turke dhe greke në ishull në të gjitha fushat, tha nënpresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë një zgjidhje me dy shtete bazuar në barazinë sovrane në të gjitha fushat, që do të thotë paqe dhe stabilitet për gjithë rajonin, kundër përpjekjeve të rraskapitura dhe qasjeve të njëanshme”, tha Oktay në Twitter.
Oktay tha se gjatë bisedimeve të fundit joformale mbi të ardhmen e Qipros të mbajtura në Gjenevë, administrata qipriote greke kishte mbajtur qëndrimin e saj, duke favorizuar bllokimin e zgjidhjes në ishull.
Ai nënvizoi se Turqia do të qëndrojë pranë Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) në luftën e saj të drejtë.
Qiproja ka qenë i zhytur në një kontest disadekadësh midis grekëve dhe turqve qipriotë, megjithë një seri përpjekjesh diplomatike nga OKB-ja për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Ishulli është ndarë që nga viti 1964 kur sulmet etnike detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre. Në vitin 1974, një grusht shteti grek qipriot që synonte aneksimin nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë si një fuqi garantuese. TRNC u themelua në vitin 1983.
Administrata Greke Qipriote, e mbështetur nga Greqia, u bë anëtare e BE-së në vitin 2004, megjithëse shumica e qipriotëve grekë hodhën poshtë planin e zgjidhjes së OKB-së në një referendum atë vit, i cili kishte parashikuar një Qipro të ribashkuar të anëtarësuar në BE.



