Kolonët hebrenj që erdhën në lagjen Sheikh Jarrah në Kuds u larguan me ardhjen e palestinezëve

Sipas informacionit të marrë nga AA në rajon, nga altoparlantët e një xhamie në rrethin Al-Issawiya të Kudsit u bënë thirrje që palestinezët të shkonin në lagjen Sheikh Jarrah

Qindra kolonë hebrenj, të cilët erdhën në lagjen Sheikh Al-Jarrah në Kuds, u larguan nga rajoni pasi shumë të rinj palestinezë erdhën pas thirrjeve të bëra përreth, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacionit të marrë nga AA në rajon, nga altoparlantët e një xhamie në rrethin Al-Issawiya të Kudsit u bënë thirrje që palestinezët të shkonin në lagjen Sheikh Jarrah.

Pas thirrjeve të bëra nga xhamia, palestinezët nga shumë pika të Kudsit u dyndën në lagje duke ecur, vrapuar ose me automjetet e tyre.

Pas kësaj, kolonët hebrenj, të cilët kishin ardhur në rajon në orët e para të mëngjesit, u desh të largoheshin nga Sheikh Jarrah.

Ngjarjet në Kudsin Lindor të okupuar

Kudsi i okupuar Lindor është skenë e ditëve të tensionuara për shkak të kërcënimit të migrimit të detyruar për palestinezët që jetojnë në lagjen Sheikh Jarrah. Sulmet e policisë izraelite në Mesxhid al-Aksa po rritin gjithashtu tensionin në qytetin e shenjtë.

Gjatë namazit të taravisë në mbrëmjen e 7 majit, policia izraelite ndërhyri ndaj xhematit në Mesxhid al-Aksa me bomba marramendëse dhe plumba gome, duke plagosur mbi 200 palestinezë.

Ndërkaq, në ndërhyrjen e policisë izraelite kundër palestinezëve më 8 maj, 90 persona u plagosën, kurse Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze njoftoi se midis të plagosurve kishte një foshnjë njëvjeçar dhe fëmijë.

Pas namazit të sabahut dje, policia izraelite ndërhyri ndaj xhematit të Xhamisë Al-Aksa me plumba plastikë dhe bomba marramendëse, duke plagosur dhjetë persona.

Ndërhyrja e policisë izraelite ka vazhduar edhe sot ndaj palestinezëve që po mbronin faltoren e shenjtë nga bastisjet hebrenje, me çka të plagosur kanë mbetur të paktën 180 të plagosur, sipas Gjysmëhënës së Kuqe.