Në kërkim të një arsyetimi

Nga Evans Drishti

Të zhurmshme ishin bisedat e tyre, po aq edhe tronditëse për një shpirt që rropatej në gjetje të një qetësie dhe arsyetimi për të kërkuar emblemën e domethënies. Ca të qeshura llaftaruese që shtriheshin e përzgjateshin sikurse parabola e një kurbe magnetike, e që s’prisnin gjë prej gjëje, vetëm e vetëm një spikatje prej protagonisti. Tingujt e zërave të çjerrët thumbonin keqas jo vetëm aty, ku gjallëria e bisedës përvëlonte, por edhe përtej atij ambienti sikur të qërronin dhe të shurdhonin si një asgjësim. E në këtë pritje ai mbetej në kërkim të një arsyetimi të kësaj bisede revoltuese…
***
Testi kishte pak minuta që kishte nisur, e ndërkohë heshtja mbizotëruese aty – këtu sikur përthyhej nga tendenca e disave për të gjetur “shpëtim” në fletët e të tjerëve. Mësimdhënësi numëronte të pranishmit, ku shifra nuk rezultonte të ishte e plotësuar, pasi disa mungesa të vogla ishin evidente. Pse ky frikësim ndaj një vetëkontrolli? Përse kjo mungesë përgatitjeje? Një tentativë për abuzim apo një keqardhje pa mohim në emër të mungesës? Kërkohej vlera e një ambicieje që do ta shndërronte shpirtin në një metamorfozë irracionale. Kërkohej një aspiratë e ndrituar nga një mendje e kthjelluar për të nxjerrë në pah arsyen e thjeshtë të kësaj mungese. Një pritshmëri e dukshme e së nesërmes në kërkim të atij arsyetimi të mprehtë që do lehtësonte çdo ngarkesë shpirtërore. Po ja që arsyetimi s’erdhi…
***
Një adoloshent i një brezi të ri, i ulur në tryezën e bekuar nga ku do frymëzohej për të plotësuar sa më ekzaktësisht përgjigjet stilistikore dhe “misterioze” të testit që mbante në dorë. Ideja “thjesht” për të plotësuar diçka e kishte tërhequr dukshëm përtej racionales dhe të arsyetueshmes në përgjigjet që po jepte. Përse kaq shumë fjalë apo edhe fraza të pakuptimta? Përse fjalitë kanë ngelur të ngurta në pritje të një arsyetimi të prekshëm? Përse cënohej fjala aq shumë dhe nuk vihej në domethënien e saj aspiruese? Përse hezitohej të lexohej mirëfilltazi një kërkesë e cila të orienton dukshëm në dhënien e një përgjigjeje që për atë çast merr përmasa sublime? Përse nuk lexohet?… Përse kaq shumë dëngëllisje ndaj leximit? Përse kaq shumë turfullira për ta kuptuar “fjalën” dhe “peshën e saj”?
***
Një i ri që rënkon… Peshon rëndueshëm në karrigen e tij dhe nga tërfëllirat e shumta tryeza e punës gjëmon duke kërkuar një tjetër të ri që “ta vlerësojë” atë qëndrim. I riu është i boshtë, me krahë fizikë, por pa krahë fluturakë që ta përcjellin në shtigjet e një pozitiviteti të lakmueshëm. Ai s’mban asgjë, as çantë, as libër, as fletore, as stilolaps… Asgjë s’e identifikon si mësimnxënës, thjesht dhe vetëm prania e tij aty, i ulur me një stërmundim të dukshëm e ku edhe bankëza e tij tenton të gjejë një arsyetim të peshës së tij në atë karrige. Përse qëndron i heshtur në një ulje pa emër? Ç’pikësynim ka vallë menjëherë pasi të dalë nga ai ambient? Përse gjithçka vjen aq e pakuptimtë për të? Mendja njerëzore e shëndoshë është në kërkim të një arsyetimi, por skeptike…

Shfaqej si i rraskapitur akoma pa nisur mirë një ditë intensive shkollore për t’u përqafuar me ndritjen e së ardhmes dhe progresin e mirëqënies. S’ishte një lodhje dërrmuese, por një pafuqishmëri për ta shtrënguar zellin dhe dëshirën ashtu sypatrembur, por ja që sytë i trembeshin faqeve të numëruara të librit që vinte si të ishte porta e një tuneli pa dalje nga ku frikësohej se mos ngelej brënda. S’e tërhiqte asgjë, përveç një pasioni për “topin e rrumbullakët”, pasion ky që s’vinte nga ideja e rrumbullakësisë, por se të preokupuarit me futboll, gjithnjë sipas mendjes së tij të shkretë, s’kërkonte domosdoshmërisht as Lexim, as Matematikë, as Histori apo edhe ndonjë lënde që për të vijonte të ngelej “ironike”… As këtu s’gjeje dot një arsyetim, e ndërkohë e vetmja armë e pamposhtur ishte dhe të do ngelej “komunikimi në arsyetim”…
***
E dëshironte së tepërmi lojën, aq sa sipas mendjes së vet do të jepte ç’të kishte, si e si atë ta bënte të vetën, pse jo edhe të flinte me të. Po ja që prindërit i bëheshin shpeshherë pengesë, pasi sipas tyre pikësëpari duheshin kryer detyrimet shkollore, e më pas pasioni për futbollin. Sa ç’ishte e vështirë vajtja e tij në shkollë, po aq e lehtë ishte edhe kthimi për në shtëpi, gjithnjë me idenë dhe ëndrrën se një orë e më parë do të dilte në fushën e lagjes për të dëshmuar aftësitë e tij “profesionale” në sport. Gjallërohej i tëri, dukej sikur i përkiste një tjetër planeti, një tjetër hemisfere, një tjetër rruzulli, një tjetër universi… Me kohë e kishte gjetur edhe arsyetimin e kësaj, e natyrshëm pasioni triumfonte dukshëm, dhe ishte ky pasion që i dhuronte energji të pafundme në rikoperimin e rezultateve shkollore, prandaj edhe arsyetimi këtu gjeti shteg…
***
Vogëlushi kishte ngelur mu në mes të parkut, teksa e ëma qëndronte e ulur në një prej stolave të ngjyrosur e përqëndruar së tepërmi pas telefonit, e kështu e përhumbur në botën e teknologjisë, kishte harruar se i biri priste ngrohtësinë dhe kujdesjen e së ëmës… Me vështrimin e tij ngultazi tek dashuria mëmësore vijonte pritshmërinë se mos një çast të vetëm zonja “mëmë” do ngrinte kokën lart për ta parë të birin dhe natyrshëm edhe buzëqeshjen e tij ëngjëllore. Edhe pse i voçkël arrinte të arsyetonte atë lloj pritshmërie, ashtu pa lëvizur fare, pa folur qoftë edhe një fjalë të vetme, pasi vetëm prezenca e tij tregonte shumëçka… Përhumbja në botën e magjishme e kishte tërhequr së tepërmi të ëmën e vogëlushit, e cila vetëm pas një farë kohë aspak të shkurtër, seç mori guximin të vështronte jo me aq kujdes vogëlushin që po e priste me padurim…

Logjika e shëndetshme dhe arsyetimi i mirëfilltë është armata më e mirë që kemi si qenie njerëzore, pikësëpari për të kuptuar veten tonë, atë ç’ka na rrethon dhe ata me të cilët bashkëveprojmë në përditshmëritë tona.
Le të mos harrojmë se nëpërmjet një leximi të rregullt arrijmë të forcojmë edhe një arsyetim kthjellues.
Le të mos harrojmë urdhërin e parë Kur’anor: “Lexo! Në emër të Zotit tënd që krijoi gjithçka!” duke reflektuar mbi një arsyetim të domosdoshëm në:
– Sjelljet tona
– Bashkëbisedimet tona
– Ecejaket dhe lëvizjet e përditshmërisë
– Kërkesat dhe detyrimet që kemi ndaj vetes, familjes dhe tërë shoqërisë.
– Identitetin tonë të brymosur në një karakter të fortë dhe të qëndrueshëm.
– Arsimimin e plotë mbi baza logjike dhe jo mekanike.

ARSYETO!
– Të kuptosh pozicionin tënd në familje dhe në jetë
– Të gjykosh rrethanat e përditshmërisë.
– Të konceptosh rregullat e mirësjelljes dhe parimet e traditës.
– Të përdorësh fjalën në peshën dhe vendin e saj të duhur.
– Të identifikosh hapat që duhet të ndërmarrësh në ngritjen tënde.
– Të shpalosësh idetë në kohën dhe vendin e duhur.
– Të mbizotërosh me mundimin tënd edhe aty ku kthetrat janë të forta.
– Të pranosh se pa një lexim s’ka një ide, e pa një ide s’ka një vizion, e pa një horizont s’përftohet identiteti dhe pa këtë identitet ngelesh vetëm viktimë e tjetrit dhe e një sistemi të tërë…