Vera e nxehtë e Europianit dhe Copa America-s, mbetet e tillë edhe për lojtarët e Superiores, por në këndvështrimin e merkatos, me futbollistë që largohen nga ekipet përkatëse në kërkim të të tjera destinacioneve. Kristi Vangjeli i jep lamtumirën Tiranës. Gjithcka është bërë e ditur nga mbrojtësi në profilin e tij në rrjetet sociale ku njofton mbylljen e aventurës me bardheblutë, pa harruar të falënderojë, Presidentin Halili, të gjithë bashkëpunëtorët e padyshim edhe tifozerinë e zjarrtë kryeqytetase për dy vitet e eksperiencës te Tirana, ku 35 vjecari fitoi titullin kampion, pas serisë së titujve që kishte siguaruar më parë me Skënderbeun.
Vangjeli bëhet në këtë mënyrë lojtari i katërt që ndan zyrtarisht rrugët me Tiranën pas largimeve të mëparshme të Cale, Torassës, dhe Idi Bathës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Emiljano Musta, që ka konfirmuar largimin e tij nga skuadra e Lacit, nëpërmjet një fotoje me skuadrën kurbinase, ku i falënderon të gjithë për bashkëpunimin.
Një lëvizje kjo e paralajmëruar nga Sport News, ashtu si dhe fakti se Musta pritet të zyrtarizohet te Kukësi ku rikthehet pas një viti të kaluar me bardhezinjtë. Laci mbetet një ndër skuadrat më aktive të merkatos, pasi ka zyrtarizuar ndërkohë përforcimin me Mario Dajsinanin, portierin që ka zgjedhur kurbinasit për vazhdimin e karrierës, ndërkohë që te Laçi paralajmërojnë një merkato me goditje të forta duke shpalosur objektiva ambiciozë për Europën dhe mbi të gjitha edhe sezonin e ardhshëm.



