Policia me dorë të hekurt në bregdet/ Në Golem dhe Spille hiqen 1292 çadra dhe 2584 shezlongë

Policia është duke vijuar aksionin për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.

Si rezultat i aksionit në Golem dhe Spille janë evidentuar 16 parcela pa leje, 4 prej tyre në plazhe publike dhe 12 për mosplotësim dokumentacioni. Kështu janë hequr 490 çadra dhe 980 shezlongë.

“Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim  të zaptimit  të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar  nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Policisë Bashkiake, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Golem dhe Spille.  

Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 16 parcela pa leje, 4 prej tyre në plazhe publike dhe 12 për mosplotësim dokumentacioni.  Janë hequr 490 çadra dhe 980 shezlongë”, njofton policia.

Po ashtu bëhet e ditur se një ditë më parë janë kontrolluar 101 parcela dhe janë liruar 28 parcela, duke hequr 802 çadra dhe 1604 shezlongë.

Ndërkohë operacioni është duke vijuar pa probleme.