23-vjeçari humbi jetën një ditë më parë teksa po punonte për ndërrimin e një gome kamioni.
Policia bëri me dije se arrestoi në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” pronarin e gomisterisë Xhemal Duka, si dhe ka proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasin Tiril Leba me detyrë shofer i ambulancës. Sipas dëshmitarëve, autoambulanca ka mbërritur me vonesë dhe kjo ka vonuar dhe dhënien e ndihmës së parë për viktimën.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi Xh. D., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në gomisterinë në pronësi të tij, si pasojë e një shpërthimi të një gome, humbi jetën shtetasi R. T., 23 vjeç (punonjës). Për këtë rast është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi T. L., 37 vjeç, banues në Durrës (shoferi i ambulancës), pasi dyshohet se është vonuar për të shkuar në vendngjarje, duke sjellë vonesë për dhënien e ndihmës së parë”, thuhet në njoftimin e policisë.



