Kosovë, shoqata “ESNAF” kërkon hapa konkrete kundër organizatës terroriste FETO

"Raportet me Turqinë nuk janë në nivelin e pritur dhe të dëshiruar, sidomos në fushën e ekonomisë, dhe se shkaku kryesor për këtë është vazhdimi i pranisë së strukturave të FETO-s", tha Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve “ESNAF”

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve “ESNAF” nga Kosova ka bërë thirrje të ndërmerren hapa konkrete kundër strukturave të organizatës terroriste “FETO”, duke e konsideruar atë si shkaktarin kryesor për mosavancimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Kosovës në nivelin e dëshiruar, sidomos në fushën e ekonomisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, shoqata “ESNAF” tha se parimi kryesor gjithmonë ka qenë kontribuimi në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, përmes zhvillimit të bashkëpunimit me shtetet që e kanë pranuar Kosovën, që i respektojnë raportet miqësore dhe familjare dhe që e mbështesin pranimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kur flitet për shtetet mike të Kosovës, Republika e Turqisë është i pari shtet që vjen në mend. Fakti që në Turqi jeton një numër i madh i kosovarëve dhe që Turqia është ndër shtetet e para që gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën, vetvetiu kërkon që raportet midis këtyre dy shteteve të jenë në nivelin më të lartë”, theksohet në deklaratë.

“Mirëpo, ne si shoqatë ‘ESNAF’ jemi të mendimit se viteve të fundit raportet me Turqinë nuk janë në nivelin e pritur dhe të dëshiruar, sidomos në fushën e ekonomisë, dhe se shkaku kryesor për këtë është vazhdimi i pranisë së strukturave të FETO-s në Kosovë”, thuhet më tej.

Duke deklaruar se Turqia është duke e vazhduar brenda dhe jashtë luftën kundër FETO-s që nga tentativa për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016, shoqata tha se kjo organizatë terroriste paraqet rrezik edhe për sigurinë e Kosovës dhe se “duhet të ndërmerren hapa konkrete kundër strukturave të organizatës terroriste FETO në këtë vend”.

“Ne kemi besim të plotë se masat që do të ndërmerren kundër kësaj organizate terroriste nga ana e Kosovës do të jenë kontribut i çmuar për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe po ashtu do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit duke i përforcuar raportet me Turqinë”, thuhet në deklaratë, në të cilën bëhet e ditur se kjo kërkesë i është përcjellë edhe presidentes dhe kryeministrit të vendit.

Me rastin e pesëvjetorit të puçit të dështuar, shoqata “ESNAF” përkujtoi dëshmorët që dhanë jetën në rezistencë dhe tha se i mallkon “të gjitha organizatat terroriste që cenojnë popullin dhe shtetin mik të Republikës së Turqisë”.