Shqipëri, vazhdojnë operacionet për fikjen e zjarreve

Në zona të ndryshme të Shqipërisë vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, ndërkohë vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre, me përfshirjen edhe të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency(AA).

Sipas njoftimit të fundit nga Ministra e Mbrojtjes e Shqipërisë, prej ditësh forca të shumta operacionale, efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës të emergjencave civile e shërbimeve vendore po punojnë për shuarjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit.

Sipas ministrisë, pavarësisht punës së pandërprerë, disa vatra zjarri janë ende problematike.

Vatrat janë aktive në qarqet Vlorë, Kukës, Lezhë, Korçë, Shkodër, Fier dhe Berat, ku për disa prej tyre vazhdojnë operacionet edhe nga ajri.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Shqipërisë (IGJEUM) ka njoftuar se sot pritet nivel i lartë rreziku për zjarret në pyje në qarqet Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.

Përveç angazhimit të forcave shqiptare, për shuarjen e tyre u përfshinë në operacione edhe disa helikopterë të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE).

Kujtojmë se deri tani një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar në Shqipëri nga zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, kryesisht në jug të vendit.