Turistët serbë fillojnë të zëvendësojnë kosovarët në plazhin e Durrësit

Politika e qeverisë për të promovuar lëvizjen e lirë në rajon – e njohur gjithashtu si “Ballkani i Hapur”, ka favorizuar rritjen e numrit të turistëve nga Serbia në Durrës.

Temperaturat e larta të ditëve të fundit duket se do ti shërbejnë zgjatjes së periudhës së pushimeve në plazhin e Durrësit.

Familjarët që japin dhoma me qira ndjehen mirë, ndonëse e pranojnë se numri i turistëve që preferojnë shtëpitë pas linjës hekurudhore po vjen duke rënë.

Sidoqoftë, tashmë në plazhin tradicional, shumë pranë qytetit po akomodohen edhe turistë nga vendet e Ballkanit, apo vende të tjera të Lindjes dhe fitimi për këtë lloj shërbimi në hotele dhe banesa është më i lartë.

Numri më i madh i turistëve nga Serbia është akomoduar në disa nga hotelet e pjesës qendrore të plazhit.

Aktualisht shumica e pushuesve janë nga Serbia, por nuk mungojnë edhe të tjerë nga Bosnja, nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Çekia.

Ndonëse tashmë një pjesë e tyre i drejtohen plazheve të rinj në Shëngjin e Velipojë, si dhe në jug të vendit, kosovarët vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të pushuesve në Durrës.

Shumë prej tyre nuk e kanë pritur mirë akomodimin e serbëve në hotelet dhe banesat familjare të zonës, por Fredi thotë se nuk ka patur incidente.

Specialistët mendojnë se tregu i pushuesve nga Serbia favorizohet edhe nga politikat qeveritare.

Bizneset turistike po punojnë fort, veçanërisht në zonën Golem – Mali I Robit, ku funksionojnë disa dhjetëra hotele me kapacitete të mëdha dhe me shërbime të mira.