“Koha për t’i dhënë fund paligjshmërisë”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim me efektivët e Policisë së Shtetit, ku u prezantua buxheti për vitin 2022 për këtë sektor.
Kreu i qeverisë nënvizoi se nëpërmjet satelitëve dhe droneve inteligjente policia do të jetë në dijeni se çfarë ndodh në të gjithë territorin e vendit.
“Satelitët do ta bëjnë të pamundur, jo kultivimin e parcelave të tëra, por kultivimin përtej 70 cm, që sateliti nuk sheh më në mënyrë të detajuar. Çdo ditë në kohë reale policia do të ketë përpara syve çfarë ndodh në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Sipas tij, drone inteligjente nga ajri, do të jenë në dispozicion të Policisë së Shtetit për të pikasur parcelat me drogë dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Rama përmendi edhe ndërtimet pa leje, ku tha se çdo ndërtim që ka shkelje është ndërtim i paligjshëm.
“E gjithë godina është e paligjshme dhe për këtë paligjshmëri merret dhe çohet para drejtësisë personi përgjegjës. Kështu e ka ligji i ri”, deklaroi ai më tej.
Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverise tha se me rëndësi është domosdoshmëria për të vazhduar ngritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë.



