“Siç e dini, ne kemi nxjerrë vaksinën TURKOVAC tani dhe me këtë vaksinë, do të jemi gjithmonë me Shqipërinë me burimet tona”, u shpreh ndër të tjera presidenti turk.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku ritheksoi se vendi i tij do ta vazhdojë mbështetjen për shqiptarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan e nisi fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë duke shprehur kënaqësinë për vizitën në Shqipëri, vend me të cilin kanë lidhje të forta historike dhe njerëzore, si dhe që ishte i pranishëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke kujtuar se tri javë më parë priti kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla në Turqi, Erdoğan tha se me Nikollën shkëmbyen mendime se si të përmirësohen marrëdhëniet ndërparlamentare dhe se kishin rënë dakord që rritja e kontakteve dhe bashkëpunimit mes deputetëve do të kontribuonte ndjeshëm në zhvillimin e marrëdhënieve.
Presidenti turk theksoi që menjëherë pas shpalljes së Republikës së Turqisë në vitin 1923, një nga marrëveshjet e para të miqësisë ishte bërë me Shqipërinë.
“Kjo marrëveshje, e cila quhet Marrëveshja e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm, në thelb zbulon se marrëdhëniet tona nuk janë vetëm shteti-shtet, por edhe njeri-njeri. Edhe pse ekzistojnë kufijtë, Shqipëria është fqinji ynë i zemrës. Marrëdhëniet tona bazohen në një të kaluar të thellë dhe të fortë që shtrihet në afro gjashtë shekuj. Gjurmët e historisë së përbashkët shprehen jo vetëm në jetën politike, por edhe në konaqet e gurta të Shkodrës, shtëpitë me dritare të dala të Beratit dhe arkitekturën e xhamisë së Et’hem Beut. Miqësia dhe lidhjet tona farefisnore po zhvillohen dita-ditës mbi këtë themel të fortë”, deklaroi Erdoğan.
Duke theksuar se falë përpjekjeve të qeverive ka një klimë shumë të mirë për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Erdoğan vazhdoi:
“Shprehje e kësaj tabloje është deklarimi i njëanshëm i zotit kryeministër i Turqisë si një nga pesë partnerët strategjikë të Shqipërisë në vitin 2013. Me deklaratën e përbashkët politike që nënshkruam me rastin e vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në Turqi në fillim të vitit të kaluar, ne i avancuam zyrtarisht marrëdhëniet tona në nivel të partneritetit strategjik. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen, prosperitetin, qetësinë dhe stabilitetin e të dy vendeve tona, rajonit tonë dhe gjithë botës. Kur Turqia dhe Shqipëria të bashkojnë duart, nuk do të ketë asnjë problem që ata nuk mund ta kapërcejnë, asnjë problem që ata nuk mund ta zgjidhin, asnjë qëllim që nuk do të mund ta arrijnë, me lejen e Allahut. Mjafton t’i dalim zot me vendosmëri qasjes sonë gjithëpërfshirëse, qëllimeve tona të përbashkëta dhe vendosmërisë sonë për të avancuar vazhdimisht bashkëpunimin tonë. Unë me gjithë zemër besoj se së bashku nuk do të lejojmë askënd të prishë këtë fotografi të bukur dhe të këndshme”.
Duke kujtuar se krijimi i një mjedisi të përhershëm paqeje, besimi dhe stabiliteti në Ballkan, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme turke, Erdoğan tha: “Siç e dini, Kosova u njoh e para nga Shtetet e Bashkuara. Isha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në atë kohë. Unë isha kryeministër atë kohë dhe ne e njohëm Kosovën të dytët menjëherë. Që atëherë vazhdojmë të luftojmë për njohjen e Kosovës në botë”.
Presidenti turk theksoi se e ndjek me vlerësim rolin konstruktiv të Shqipërisë në Ballkan.
“Përveç lidhjeve tona historike, marrëdhënia jonë e aleancës në NATO ka gjithashtu një vend të rëndësishëm në dimensionin e sigurisë. Ne jemi në solidaritet shembullor me Shqipërinë nën ombrellën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili është i vetmi forum ballkanik që pasqyron vullnetin e përbashkët dhe zërin unik të Ballkanit”, deklaroi Erdoğan.
Ai theksoi se sikurse gjithmonë, populli turk qëndron pranë popullit shqiptar me të gjitha forcat dhe mjetet e tij, duke shtuar se Turqia ishte vendi i parë që dha ndihmën më efektive dhe më të sinqertë Shqipërisë në tërmetin e vitit 2019 dhe gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Siç e dini, ne kemi nxjerrë vaksinën TURKOVAC tani dhe me këtë vaksinë, do të jemi gjithmonë me Shqipërinë me burimet tona. Prillin e kaluar vëmë në funksion Spitalin e Miqësisë Turqi-Shqipëri në Fier, i cili përfundoi në një kohë rekord prej 68 ditësh për vëllezërit tanë shqiptarë. Sot dorëzuam shtëpitë e tërmetit që kishim ndërtuar në Laç. Jam i lumtur sepse e mbajtëm premtimin dhe i dorëzuam para afatit. Jemi të lumtur nëse këto kontribute kanë qenë sado pak shërim për plagët e vëllezërve tanë shqiptarë”, shtoi Erdoğan.
Në lidhje me organizatën terroriste FETO, presidenti i Turqisë tha se ky grup ende ruan praninë në Shqipëri në sektorin e arsimit, shëndetësisë, organeve fetare dhe sektorin privat. Ai shtoi se kjo organizatë, sikurse për Turqinë, sikurse për shumë shtete, përbën rrezik të sigurisë kombëtare edhe për Shqipërinë.
“Ndërsa ka kaq shumë çështje mes nesh për të biseduar, diskutuar dhe ndërmarrë hapa drejt së ardhmes së bashku, neve na vjen keq që humbim kohë me një çështje të këtillë. Shpresojmë që në takimin tonë të radhës këtë çështje ta largojmë nga agjenda jonë”, theksoi presidenti Erdoğan.
Duke përshëndetur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe mbarë popullin shqiptar, presidenti Erdoğan tha: “Uroj që miqësia dhe vëllazëria mes Turqisë dhe Shqipërisë të vazhdojë përgjithmonë. Uroj që Zoti ta ruajë gjithmonë dashurinë dhe solidaritetin tonë”.



