Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e përjashtoi si mundësi bashkëpunimin me grupimin e Enkelejd Alibeajt për zgjedhjet lokale.
Ai u shpreh se janë të hapura dyert e komunikimit, duke përjashtuar vetëm një person, Lulzim Bashën. Berisha tha se kreu i Këshillit të PD-së, Edi Paloka po merret me takime.
“Nuk është vetëm ftesë, janë bërë takime dhe do bëhen takime, Paloka po merret intensivisht me këtë, por jo vetëm ai. Janë të hapura dyert e komunikimit, kërkesa ime publike është e fundit. Ne duhet të jemi të shpejtë për garën. Nuk shoh arsye që ata të mos bashkëpunojnë në proces, të gjithë mund të bashkëpunojnë, por vetëm një, është i izoluar ai e dini ju. Unë mund t’i them zotit Alibeaj që nuk është e përshtatshme të bëhet zëvendës i tij”, tha Berisha.
“Të shkohet në zgjedhje në frontin e vërtetë të shpëtimit të Shqipërisë nga monizmi. Çdo deputet është i ftuar të kandidojë po të dojë dhe inkurajojë të tjerë po të dojë, Kryesia do t’i shqyrtojë ato, veç rasteve më të jashtëzakonshme. Ne kemi premtuar ndryshimin, do jenë primaret që do përcaktojnë kandidatin, çdo deputet është i ftuar të kandidojë, çdo deputet që dëshiron të shikojë një qytetar ta inkurajojë dhe të futet në primare”, tha ai.



