Vrau kunatin natën e Vitit të Ri, Apeli i Tiranës ndryshon vendimin për Klajdi Shundin dhe e dënon me 8 vite burg

Gjykata e Apelit në Tiranë ka dënuar me 8 vite burg 32-vjeçarin Klajdi Shundi, i cili vrau kunatin e tij natën e ndërrimit të viteve më 1 janar 2021.

Ndaj tij, Apeli la në fuqi akuzën e “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psiqike”, pasi ai vrau Lavdi Zvezhdën teksa ai po zihej me motrën e tij në banesë.

Si ndodhi ngjarja?

Inaugurimi i shtëpisë së re të Klajdi Shundit dhe festimi i ndërrimit të viteve me motrën e tij, kunatin dhe dy mbesat u kthye në tragjedi mëngjesin e 1 janarit 2021, te zona e “5 majit” në Tiranë.

Gjatë festimeve nisi një debat mes kunatit dhe motrës, ku Klajdi ndërhyru , duke iu kërkuar të mos zihen në shtëpinë e tij, pasi janë mbledhur për festë.

Gjithçka ka shkuar mirë deri rreth orës 03:00 të mëngjesit ku para ngjarjes të gjithë kanë bërë një foto së bashku për kujtim. Ky kujtim i bukur do të përmbysej në pak sekonda më pas, duke u kthyer në tragjedi.

Kur Lavdi Zvezhda do largohej me gruan e dy vajzat ai është konfliktuar sërish me të shoqen, Silvën.

Mbesa e madhe ka telefonuar dajën, Klajdin duke i thënë “daja mami e babi po zihen, eja të lutem“. Kur Klajdi Shundi ka dalë tek shkallët e pallatit ka pasur në dorë një thikë dhe ka parë kunatin duke u zënë me të motrën.

Kaq ka mjaftuar dhe ai ka goditur Lavdi Zvezhdën me thikë e për pasojë i ka shkaktuar plagosje të rëndë.

Zvezhda u dërgua në spital, por pa mundur t’i mbijetojë plagëve e për pasojë ndërroi jetë. Shundi kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia dhe në Shqipëri po riniste jetën, duke marrë edhe një apartament ku festoi para tragjedisë me motrën, kunatin dhe dy mbesat.