Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza shkon në afër 65.300

Të paktën 65.283 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se 75 trupa, përfshirë katër të nxjerrë nga rrënojat, u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 304 të tjerë u plagosën duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 166.575 si pasojë e sulmeve izraelite.

“Shumë viktima akoma janë të bllokuara nën rrënoja dhe në rrugë pasi ekipet e shpëtimit nuk mund t’i arrijnë ato”, tha ministria.

Nga atje gjithashtu u theksua se pesë palestinezë u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të marrin ndihmë humanitare në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë teksa kërkonin ndihmë në 2.523, me më shumë se 18.473 të tjerë të plagosur që nga 7 tetori.

Ministria raportoi më tej se katër persona, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria dhe kequshqyerja në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga uria në 440, përfshirë 147 fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavën palestineze.