Rama sqaron rolin e ministres virtuale Diella, çfarë bën dhe si funksionin ajo

Gjatë prezantimit të platformës Startup Albania, Kryeministri Edi Rama sqaroi sërish rolin e ministres virtuale Diella.

Ai theksoi se puna e Diellës konsiston në përpunimin sa më të shpejtë të të dhënave dhe dhënien e përgjigjeve të menjëhershme, duke saktësuar se Diella nuk merr vendime politike apo qeverisëse, por vepron vetëm si një mjet ndihmues për përpunimin e informacionit.

“Diella nuk merr vendime, ne vendosim për të! Nuk i kemi dhënë përgjegjësi për të qeverisur,” tha Rama, duke shtuar se ka shumë keqkuptime në lidhje me rolin e ministres virtuale, por që këto nuk janë refuzime të bazuara në argumente reale.

Ai theksoi se përgjegjësia për vendimmarrjen mbetet e tërësisht njerëzore dhe se Diella nuk është e deleguar për të marrë vendime përfundimtare.

Kryeministri shpjegoi se qëllimi i ministres virtuale është që të përpunojë të dhënat me shpejtësi dhe efikasitet më të madh se sa njeriu, duke ofruar përgjigje të shpejta dhe të sakta.

Në kuadër të prezantimit të platformës Startup Albania, Rama theksoi se kjo platformë do të përdorë Inteligjencën Artificiale për të përpunuar aplikimet e startup-eve që kërkojnë grante, duke eliminuar burokracinë tradicionale.

“Është një sistem që nuk funksionon me ‘jo’, ‘hajde nesër’ apo vonesa burokratike. Platforma është e gatshme 24 orë, nuk ka pushim, nuk ka orar drekë dhe nuk bie në gjumë,” theksoi Rama. Ai shtoi se kjo qasje siguron transparencë të plotë, ku të gjithë aplikantët do të dinë në çdo moment fatin e aplikimeve të tyre dhe rezultatet do të jenë të dukshme për të gjithë.

Sipas kryeministrit, kjo mënyrë e re e përpunimit është një hap i rëndësishëm për të eliminuar pengesat e burokracisë njerëzore, që shpesh sjell “jo” si përgjigje automatike, dhe për ta kthyer atë në një “po” efikas e transparent.