SPAK zbardh zhdukjen dhe vrasjen e Klevis Lleshit në 2020, lëshohen 4 urdhra-arresti

Një hetim i SPAK, sektorit të hetimit të krimit të organizuar, besohet të ketë zbardhur një vrasje dhe zhdukje personi 5 vite më parë.

Bëhet fjalë për Klevis Lleshin, i cili u zhduk pa gjurmë në vitin 2020, dhe trupi i tij u gjet pas më shumë se 2 vitesh në një fshat të Matit.

Sipas SPAK, porositës i rrëmbimit dhe vrasjes dyshohet të jetë shtetasi Aurel Hoxha, pronar i lokalit Monopol, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie, së bashku me tre persona të tjerë.

Aurel Hoxha dyshohet se ka porositur rrëmbimin dhe vrasjen e të riut si hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, e ndodhur në Angli në vitin 2012.

Gjatë natës janë ushtruar kontrolle në disa zona të vendit, ndërsa nga GJKKO janë lëshuar edhe 4 masa sigurie.

SPAK ka rënë në gjurmët e autorëve gjatë hetimeve për një krim tjetër, konkretisht lidhur me ngjarjen ku Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj.

Burime bëjnë me dije se rrëmbimi dhe vrasja e të riut janë zbardhur falë transkriptimeve të SKY ECC ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurorët Altin Dumani dhe Behar Dibra.

Trupi i viktimës u zbulua si rezultat i erozionit të tokës nga banorët e zonës ku pas testit të ADN-së, ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi, 24 vjeç.

Ngjarja fillimisht u hetua nga prokuroria vendore, ndërsa familjarët kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi.

Ngjarja dyshohet të jetë pjesë e një gjakmarrjeje ndër vite, pasi të riut më herët i janë ekzekutuar babai dhe xhaxhai.