Kuvendi i Shqipërisë i rekomandon Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të vijojë monitorimet e treguesve të cilësisë së shërbimit të telefonisë së lëvizshme, veçanërisht në zonat turistike dhe akset rrugore.
Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së këtij institucioni për vitin 2024 dhe rekomandimet kryesore për vitin 2025, Kuvendi rekomandon që AKEP të kërkojë nga dy operatorët në treg vendosjen e stacioneve provizore apo optimizimin e antenave ekzistuese, në zonat ku mbulimi me sinjal nuk i përmbush parametrat optimalë cilësorë.
Veçanërisht gjatë sezonit veror, cilësia e shërbimeve të komunikimit dhe sidomos e internetit është shpesh problematika në zonat e turizmit bregdetar. Për shkak të përqendrimit të madh të pushuesve, shpejtësia e internetit nga rrjetet celulare është shumë e ngadaltë, deri në mungesën e plotë të shërbimit.
Gjithashtu, në akse të veçanta rrugore, sidomos në zonat me reliev të thyer, ka mungesa të mbulimit me sinjal të kompanive celulare.
Në raportin vjetor të vitit 2024, AKEP thekson se, për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të telefonisë së lëvizshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nevojitet ndërtimi i siteve (ministacioneve) të reja nga operatorët. Megjithatë, sipas AKEP, operatorët hasin vështirësi në marrjen e lejeve mjedisore, kanë probleme me refuzimin e banorëve të godinave ku janë përcaktuar ndërtimet e këtyre ministacioneve, por edhe nga mosrinovimi i qirave i ministacioneve aktuale nga institucionet shtetërore.
AKEP shprehet se operatorët celularë ndërtojnë çdo vit stacione për përmirësimin e shërbimit në zonat turistike, plazhet dhe akset rrugore. Gjithsesi, në zonat ku mbulimi me sinjal nuk i përmbush parametrat e performancës, operatorët, pas ndërhyrjes së strukturave të AKEP-it, kanë parë mundësinë e optimizimit të antenave ekzistuese që mbulojnë zonën si edhe vendosjen e stacioneve provizorë, deri në ndërtimin e stacioneve të reja të dedikuara për mbulimin e zonave gjeografikisht të izoluara, për të cilat pritet zbardhja e lejeve nga institucionet përkatëse.
Në rinovimin e autorizimeve për disa prej frekuencave në brezat 900 MHz dhe 1800 MHz, vitin e kaluar, AKEP ka aplikuar edhe ndryshime në kushtet për sigurimin e mbulimit dhe cilësinë e shërbimit.
Sipas kërkesave të reja, operatorët celularë do të sigurojnë përforcimin e mbulimit me shërbim të popullsisë deri në 99% të zonave të banuara për çdo qark, përkundrejt minimumit prej 95% që përcaktohej në autorizimin e mëparshëm.
Gjithashtu, operatorët celularë të sigurojnë që mbulimi me shërbim në territorin e Republikës së Shqipërisë të jetë minimalisht 95%, e ku posaçërisht për tërësinë e gjatësisë së akseve rrugore kombëtare të kategorive A (autostradat) dhe B (rrugët interurbane kryesore), tunelet, zonat e përfshira në projekte zhvillimore dhe me rëndësi të veçantë, mbulimi duhet të jetë mbi 99%, ndërsa për akset rrugore të kategorive C e në vijim, mbulimi duhet të jetë mbi 96 %.
Për zonat turistike (brenda përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura), mbulimi duhet të jetë deri në 99%.
Operatorët celularë, brenda muajit shkurt të çdo viti, përgjatë 5-vjeçarit të parë nga lëshimi i Autorizimit Individual, duhet të depozitojnë pranë AKEP-it një raport të detajuar të ecurisë së realizimit të kushteve të mësipërme të mbulimit dhe të cilësisë së shërbimit, në veçanti për zonat aktualisht të pambuluara.


