Zjarri në landfillin e Bushatit, nënkryetar i Bashkisë Vau Dejës: Ishte aksidental

Vatrat e zjarrit në venddepozitimin e mbeturinave në Landfillin e Bushatit vijojnë të jenë aktive që prej ditës së djeshme.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe prefekturës, situata vijon të mbetet problematike, ku retë e tymit kanë arritur deri në qytetin e Shkodrës, duke shkaktuar një situatë të sikletshme për banorët.

Në një komunikim për mediat ditën e sotme, Elvis Preçi, nënkryetar i Bashkisë Vau Dejës, u shpreh se nga mbikëqyrja e kamerave të sigurisë zjarri nuk është i qëllimshëm.

“Edhe ditën e sotme forcat e zjarrfikëseve ndodhen në terren, ku po bëjnë të mundur izolimin e përhapjes së zjarrit, ndërsa flakët nuk janë vetëm në sipërfaqe, por edhe nëntokë.

Gjatë mesditës së djeshme është marrë një njoftim për vatër zjarri në Landfillin e Bushatit dhe menjëherë janë paraqitur forcat zjarrfikëse të Vaut të Dejës. Era gjithashtu ka qenë me intensitet të lartë, e cila ka ndihmuar në përhapjen e flakëve. Sipas verifikimeve të kamerave të sigurisë, duket se zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm.

Kompania përgjegjëse e landfillit ka njoftuar kompanitë e tjera që kanë sjellë kamionë dhe ekskavatorë për të bërë të mundur izolimin e vatrave. Banesat nuk rrezikohen dhe gjatë ditës së sotme shpresohet që të bëhet e mundur shuarja e zjarrit”, u shpreh ai.