Çmimet e naftës u rritën me rreth 3% të hënën, ndërsa nafta Brent kaloi sërish kufirin e 90 dollarëve për fuçi, e nxitur nga përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe nga frika se transporti i energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit mund të ndërpritet edhe më tej.
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me 2.77 dollarë, ose 3.14%, duke arritur në 90.87 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 11 qershori. Nafta amerikane West Texas Intermediate u tregtua me 84.84 dollarë për fuçi, me një rritje prej 2.85%. Gjatë javës së kaluar, të dy standardet e naftës u shtrenjtuan me rreth 16%.
Rritja e çmimeve erdhi pasi Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se dy cisterna nafte kishin shpërthyer dhe kishin mbetur të bllokuara gjatë përpjekjes për të kaluar përmes një rruge jugore në Ngushticën e Hormuzit.
Autoritetet iraniane nuk dhanë të dhëna për emrat dhe flamujt e anijeve, ekuipazhet apo viktimat e mundshme, ndërsa Reuters raportoi se nuk kishte mundur ta verifikonte në mënyrë të pavarur incidentin.
Tensionet u shtuan gjatë fundjavës, pasi forcat amerikane kryen natën e nëntë radhazi sulme ndaj Iranit. Teherani raportoi goditje edhe ndaj objektivave dhe bazave amerikane në rajon, ndërsa Kuvajti dhe Bahreini njoftuan sulme të reja iraniane.
SHBA deklaroi se operacionet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë në Hormuz.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, pasi në kushte normale nëpër të kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës. Çdo kufizim i trafikut në këtë zonë prek drejtpërdrejt furnizimet nga prodhuesit e Gjirit Persik dhe ushtron presion mbi çmimet ndërkombëtare të naftës dhe gazit.
Të dhënat e transportit detar tregojnë se trafiku në ngushticë është reduktuar në mënyrë drastike. Të dielën kaluan vetëm katër anije, nga tetë një ditë më parë. Pak ditë më herët, numri i anijeve tregtare që kaluan gjatë një dite kishte rënë në vetëm tre, ndërsa përpara luftës mesatarja ishte rreth 125 anije në ditë.
Analistët e ING thanë se kapërcimi i nivelit prej 90 dollarësh lidhet me mungesën e shenjave për uljen e tensioneve në Gjirin Persik.
Sipas tyre, vazhdimi i sulmeve mund ta rikthejë rajonin në një situatë me goditje të përhapura ndaj infrastrukturës dhe transportit detar.
Barclays paralajmëroi se tregu mund të jetë duke e nënvlerësuar ndikimin që bllokadat dhe kufizimet e dyanshme mund të kenë mbi rezervat globale të naftës, të cilat tashmë ndodhen në nivelet më të ulëta të pesë viteve të fundit.
Një rrezik tjetër është mundësia e zgjerimit të ndërprerjeve edhe në Detin e Kuq. Irani ka sinjalizuar se mund t’u kërkojë forcave Houthi në Jemen të godasin ose të bllokojnë rrugën e Bab al-Mandebit, në rast se SHBA sulmon infrastrukturën energjetike iraniane.
Mbyllja ose kufizimi njëkohësisht i Hormuzit dhe korridorit të Detit të Kuq do të godiste dy prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të energjisë. Rritja e çmimit të naftës pritet të shtojë presionet inflacioniste në ekonomitë importuese, përmes shtrenjtimit të karburanteve, transportit dhe kostove të prodhimit.
Burimi: Reuters
The post Nafta kalon sërish mbi 90 dollarë, sulmet ndaj cisternave në Hormuz ngrenë frikën për furnizimet appeared first on Revista Monitor.



