Nëse gjatësia trupore e fëmiut tuaj nuk korespodon me moshën dhe gjininë e tij, atëherë do të duhet të konsultoni një pediatër endokrinolog, ishte porosia kryesore në konferencën e sotme për media të Shoqatës së prindërve të fëmijëve me sëmundje të çrregullimeve endokrine – Zhvillimi i Maqedonisë, me rastin e shënimit të Ditës botërore për ngritjen e ndërgjegjësimit për zhvillimin e fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Shënimi i 20 Shtatorit, këtë vit u mbajt nën moton “Fëmijët kanë kohë të shkurtër për tu rritur, tu ndihmojmë të rriten shëndetshëm, sepse gjatësia korespodon me shëndetin”.
Kryetari i shoqatës “Rast”, (Rritja), Aleksandar Petrovski, theksoi se përvojat botërore flasin se fëmijët me rrtje të çrregulluar, përballen me probleme serioze, që flet për diagnostifikim dhe trajtim të vonuar.
“Trajtimi jo në kohë i këtyre sëmundjeve rezulton me pasoja serioze sepse nuk janë probleme vetëm të individit dhe familjes, por edhe të shoqërisë në përgjithësi”, tha ai, për të shtuar se çrregullimi i rritjes është simptomi i parë i një sërë sëmundjesh tjera të fshehura.
Ai kërkoi formimin e një regjistri nacional të pacientëve me rritje të çrregulluar në mënyrë që të dihet numri i saktë i pacientëve.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, nga ana e tij tha se kur ka marrë postin e drejtorit, ka parë se kërkesat e pacientëve janë të shumta.
“Fatkeqësisht, resurset të cilat i kemi nuk mjaftojnë”, tha ai.
– Në Maqedoni aktualisht ka rreth 100 fëmijë me rritje të çrregulluar
Drejtorja e Klinikës Univerzitare për Fëmijë, Katerina Stavriç, nga ana e saj tha se, “Klinika u ka dalë në ndihmë këtyre fëmijëve për sa i përket diagnostifikimit dhe trajtimit, duke u mundësuar fëmijëve të marrin terapitë në tre muaj”.
Ndryshe, kryetari i shoqatës “Rast” informoi se aktualisht në vend ka rreth 100 fëmijë me rritje të çrregulluar, për çka i janë nënshtruar një terapie me hormone.


