Zjarre të qëllimshme në ullishte. Në Kavajë, Lushnje dhe Fier, qindra hektarë të djegura

Në mënyrë paradoksale dhe me temperatura ndjeshëm më të ulta sesa stina e verës, Shqipëria po përballet në këtë fund shtatori me një situatë emegjence të rënies së zjarreve në zona me pyje dhe bimësi.

Në mënyrë paradoksale dhe me temperatura ndjeshëm më të ulta sesa stina e verës, Shqipëria po përballet në këtë fund shtatori me një situatë emegjence të rënies së zjarreve në zona me pyje dhe bimësi.

Nga data 10 shtator e deri më tani janë shfaqur mbi 92 vatra zjarri që kanë djegur mbi 262 hektarë tokë me bimësi të ndryshme, mes të cilëve edhe 1162 rrënjë ullinj. Nga të dhënat e para, nuk bëhet fjalë për dukuri natyrore, por shkaktare duket se është dora e njeriut.

Sipas informacioneve nga Emergjencat Civile, shumica e zjarreve që janë shfaqur këto ditët e fundit të shtatorit kanë qenë të qëllimshme, të vendosura nga dora e njeriut. Ashtu siç ka qenë edhe zjarri që dogji një sipërfaqe të gjerë me bimë dhe pemë në zonën e Plazhit të Gjeneralit, ku ka ende vatra aktive.

Disa ullishte u dogjën dy ditë më parë në Lushnje. Policia e këtij qyteti identifikoi edhe një grua 55-vjeçare, e cila në përpjekje për të djegur mbeturinat në tokën e saj, i doli zjarri jashtë kontrollit duke djegur qindra rrënjë ullinj në kodrat e qytetit.

Por, kjo ngjarje pasoi një tjetër akoma më të rëndë, pasi gruaja nuk e ka përballuar dot peshën e fajit për situatën e krijuar dhe kur ka kuptuar se policia po vinte në banesë, ka pirë fostoksinë. Edhe pse bashkëshorti i shoqëruar nga forcat e policisë e dërguan për ndihmë në spital, 55-vjeçarja nuk ia doli të mbijetonte.

Vatra zjarri gjatë disa ditëve ka patur edhe në rrethin e Fierit, ku janë djegur disa qindra rrënjë ullinj. Në Levan, Peshtan dhe Cakran ka ende vatra zjarri që digjen. Shumica e zonave të djegura janë ullishte të cilat pas disa javësh duhet të vilen.

Ndërkohë, Emergjencat Civile kanë paralajmëruar se cilatdo që të jenë arsyet e zjarrvënieve, kjo është një veprimtari kriminale dhe e dënueshme ligjërisht./TCh