Picabërësi turk që jeton në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Hakkı Akdeniz, do t’i dërgojë të ardhurat që ka fituar nga picat gjigande që ka gatuar për të ndihmuar të prekurit nga uragani Florence që përfshiu vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
I njohur për bujarinë dhe dashamirësinë ndaj të pastrehëve, Akdeniz, pronar i dyqaneve “Champion Pizza” në New York, nisi projektin e tij për t’u ndihmuar të prekurve nga uragani Florence që muajin e kaluar goditi Karolinën e Veriut.
Akdeniz ka shitur picat e tij pesështresëshe me peshë rreth 25 kilogramë për dy mijë dollarë për copë, ndërsa të ardhurat që ka tubuar nga ky projekt do t’ua dërgojë viktimave të shtrëngatës.
Duke folur për AA, Akdeniz ndau detajet e këtij projekti. Ai tha se pizat gjigande kanë fituar interesim më të madh sesa që ka pritur.
“Deri më tani, kemi shitur 15 copë dhe kemi siguruar 30 mijë dollarë”, theksoi Akdeniz.
Ai tha se fillimisht kishin planifikuar të gatuanin vetëm pesë pica të tilla, mirëpo më pas synimi i tyre është rritur në dhjetë, më pas në 100, dhe tani synojnë të arrijnë shifrën prej një mijë picave.
Duke folur edhe për tërmetin dhe cunamin e fundit në Indonezi, picabërësi turk shprehu dëshirën e tij për të ndihmuar edhe nevojtarët në këtë vend.
“Ka raste kur njerëzit kanë vështirësi të gjejnë madje një kafshatë apo një dollar. Ne jemi të ngopur, por miliona njerëz kanë nevojë për një kafshatë buke. Pse të mos kemi një projekt edhe për Indonezinë?”, u shpreh Akdeniz.
“Nuk mund t’i gëzoni të gjithë, por secili mund të bëjë një ndihmë të vogël”, shtoi ai.
– Gjashtë ditë të javës, u dërgon pica të pastrehëve
Kur në vitin 2012 SHBA ishte goditur nga uragani Sandy dhe teksa shumë shitës të New York-ut kishin nxituar t’i rrisnin çmimet për të përfituar, duke shitur një copë pice ose sanduiç madje për 20 dollarë, Akdeniz kishte hapur tre dyqane në New York dhe për ditë të tëra kishte shpërndarë pica dhe pije pa pagesë.
Projekt të ngjashëm Akdeniz kishte nisur edhe vitin e kaluar për viktimat e uraganit Maria në Portoriko. Ai kishte ofruar pica pa pagesë për të gjitha ata që sillnin ujë, bateri, fenerë, pelena, vitamina dhe peshqirë. Më pas, dy maunat të mbushura me produkte të tubuara me artistin e famshëm amerikan Jay-Z ua kishte dërguar nevojtarëve.
Po ashtu, ai kishte ofruar mundësi pune në New York për 100 muslimanë të cilët vinin nga vende të ndryshme muslimane, të cilët administrata amerikane synonte t’i deportonte.
Në gjashtë ditë të javës, ai vazhdon t’u dërgojë pica, duke vënë në kutitë e tyre edhe para, të pastrehëve në strehimoren e të pastrehëve Bowery Mission, ku edhe ai vetë kishte qëndruar një kohë.
Hakkı Akdeniz këtë vit është nderuar me katër çmime në SHBA për suksesin e tij.



