Me pjesëmarrje të ambasadores turke në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, në qytetin e Gostivarit u bë shpërndarja e revistës “Minika Go” të Grupit Mediatik Turkuvaz nga Turqia për nxënësit e shkollës fillore Mustafa Kemal Ataturk në këtë qytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e shpërndarjes nën moton “Minika Go takohet me vogëlushët e Ballkanit”, krahas ambasadores turke Erkal Kara morën pjesë edhe përfaqësuesi i Grupit Mediatik Turkuvaz për Ballkanin, Furkan Haykır, drejtori i shkollës Oktay Nureddin, kreu i bordit ekzekutiv të Halkbank-Shkup, Bilal Sucubaşı, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, nxënës dhe mësimdhënës.
Erkal Kara tha se ndihen krenarë me nxënësit, të cilët gjatë aktivitetit brohoritën slogane si “Turqia” dhe “Recep Tayyip Erdoğan”.
Në fjalën e saj, ambasadorja e Turqisë tha se sot janë mbledhur për të ndarë revistën, e cila, siç theksoi ajo, do të zgjerojë horizontet mbi kulturën dhe letërsinë turke.
Erkal Kara tha se revistat do të paraqesin mundësi që fëmijët t’i njohin nga afër mendimtarët dhe heronjtë popullorë si Dede Korkut, Yunus Emre dhe Mevlana, duke shtuar se tregimet, lojërat dhe fotografitë në revistat Minika Go do të kontribuojnë në zhvillimin e mendimeve, emocioneve dhe botës imagjinative të fëmijëve.
%2F20181005_2_32720733_37839748.jpg)
“Fëmijë të dashur, e ardhmja jonë është amanet i juaji”, porositi Erkal Kara.
“Këshilla ime më e madhe për ju është kjo: Jini kureshtarë, lexoni mjaftueshëm, hulumtoni dhe mësoni. Asnjëherë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja dhe ndjekja e tyre”, shtoi ambasadorja turke.
Duke iu drejtuar prindërve të fëmijëve, ajo theksoi nevojën që ata t’i udhëzojnë fëmijët e tyre në arsim dhe t’ua mbjellin dashurinë për të lexuar.
Erkal Kara falënderoi zëvendëskryetarin e bordit drejtues të Grupit Mediatik Turkuvaz, Serhat Albayrak, duke shtuar:
“Si Ambasadë e Republikës së Turqisë, si përfaqësues të presidentit tonë, mos harroni se dera e Ambasadës së Republikës së Turqisë është e hapur deri në fund. Ju jeni shumë të vlefshëm për ne…Çfarëdo problemi që të keni, ju lutemi të mos ju pengojë asgjë që të vini pranë meje. Ju uroj suksese në jetën tuaj në të ardhmen”.
Pas fjalimit, ambasadorja vizitoi klasat, ndërsa delegacioni shoqërues zhvilloi biseda me fëmijët dhe ua shpërndau revistat.
Revistat do të ndahen edhe në shkolla të tjera në qytete të ndryshme të vendit.



