Zv.ambasadorja amerikane: Magjistratët e rinj, fytyra e ndryshimit në Drejtësi

Moses-Ones tha se SHBA do të vijojë të jetë në mbështetje të atyre zyrtarëve të ndershëm të cilët do të kontribuojnë për një sistem efektiv drejtësie.

“Magjistratët e rinj janë fytyra e ndryshimit, ndërsa brezi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar do largohet së shpejti”, deklaroi sot zëvendës- ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, në fjalën e saj në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të magjistraturës.

Moses-Ones tha se SHBA do të vijojë të jetë në mbështetje të atyre zyrtarëve të ndershëm të cilët do të kontribuojnë për një sistem efektiv drejtësie.

“Shumë prokurorë e gjyqtarë kanë ardhur para jush. Ata mbajnë po ashtu premtimin për paanshmëri dhe besim tek publiku. Shërbyen disa me nderim, por shumë nga ata diskredituan sistemin. Ata dështuan në misionin e tyre të sundimit të ligjit. Të korruptuarit do të largohen. Ata do të jenë e shkuara dhe ju e ardhmja. Mbani premtimin. Diçka që nuk do të ndryshojë është mbështetja e SHBA për sundimin e ligjit. Do të jemi kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve që bëhen të pasur përmes korrupsionit. Për të favorizuar të fortët apo për të shmangur ligjin ndaj vetë atyre. SHBA do të ndihmojnë shërbyesit publik të ndershëm. SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE”, tha ajo.

Ajo i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të bashkëpunojnë për emërimin e magjistratëve të rinj dhe ngritjen e SPAK dhe BKH.

“Deputetët e Kuvendit të punojnë bashkë për emërimin e këtyre magjistratëve. Mbështesim ngritjen e SPAK dhe BKH”, tha ajo.

Moses-Ones shtoi se, duhet të vijojë hetimi ndaj Saimir Tahirit dhe Emiljano Shullazit.

“Përkushtimi i SHBA ndaj shtetit ligjor është i palëkundur. Po na shihni këtë ta bëjmë në çështjen Tahiri apo Shullazi. Ne nxisim politikën për të bërë pjesën e tyre që të bëjnë një sistem gjyqësor më të mirë. Ata duhet të punojnë më shumë dhe të bashkëpunojnë”- tha zv.ambasadorja e SHBA./ATSH