Rritet numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami në Indonezi

Koordinator i Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë në Indonezi, ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 1.648 persona si pasojë e tërmetit dhe cunamit

Është rritur në 1.648 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti dhe cunami në Ishullin Sulawesi të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Koordinator i Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë në Indonezi, Wiranto, ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 1.648 persona si pasojë e tërmetit dhe cunamit.

Duke informuar se në fatkeqësinë e tërmetit dhe cunamit janë plagosur 2.549 persona të cilët janë dërguar nëpër spitale për trajtim, Wiranto bëri të ditur se janë edhe 652 persona të humbur.

Po ashtu Wiranto ka vënë në dukje se në Palu dhe Dongala kanë përcaktuar se 152 persona ndodhen nën rrënoja.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare e Menaxhimit të Katastrofave e Indonezisë (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho ditën e djeshme kishte njoftuar se në fshatrat përreth mund të kenë mbetur nën rrënoja një mijë persona. Ndërkohë Puwo ka bërë të ditur se deri më tani janë varrosur 1.551 trupa.

Theksohet në rajon rreth 70.821 persona kanë mbetur të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, se janë dëmtuar 2.736 ndërtesa dhe se do të formohen klasa të përkohshme që rreth 100 mijë nxënës të mund të vazhdojnë mësimin.

Ndërkohë në rajon 191 mijë persona kanë nevojë për ndihma emergjente dhe se nevojitet 571 mijë litra ujë në ditë.

Po ashtu theksohet se në operacionet e kërkim shpëtimit në Palu dhe Dongala janë angazhuar më shumë se 7 mijë policë dhe ushtarë, dhe se tërmeti dhe cunami deri më tani ka shkaktuar një dëm prej 658 milionë dollarësh.

Ndryshe, Ishulli Sulawesi të premten u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi cunami të lartë nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Burimet lokale, nga ana tjetër, thanë se tërmeti ishte me magnitudë 7,4 shkallë.

Indonezia bën pjesë në të ashtuquajturin “Unazën e Zjarrtë të Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën Ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6,3, 6,9 dhe 7 ballë shkaktuan vdekjen e 563 personave, kurse u dëmtuan mbi 450 mijë.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9,1 shkallë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit jetën humbën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.