Një grup i ri prej 185 ushtarakësh ka filluar trajnimin në shkollat e oficerëve dhe nënoficerëve të Komandës së Task Forcës së Misionit Turk në Somali.
Komanda në fjalë, e cila është njëherësh qendra stërvitore ushtarake më e madhe e Turqisë jashtë shtetit, ka përfunduar regjistrimet e vitit të ri akademik dhe ka nisur me një ceremoni aktivitetet trajnuese dhe stërvitore për periudhën 2018-2019.
Të pranishëm në këtë ceremoni me rastin e fillimin e vitit të ri akademik ishin ministri i Mbrojtjes së Somalisë, Hassan Ali Mohamed, komandanti i Forcave të Armatosura të Somalisë, Dahir Adan Elmi, ambasadori i Turqisë në Mogadisho, dr. Olgan Bekar, shefi i Qendrës Stërvitore, koloneli Omer Faruk, si dhe autoritete të tjera civile e ushtarake.
Gjatë fjalës së rastit në ceremoni, ministri Mohamed lavdëroi rolin e Turqisë në trajnimin dhe stërvitjen e oficerëve dhe ushtarëve somalezë duke theksuar se Turqia renditet në krye të shteteve mbështetëse të Somalisë, vend në krizë politike prej shumë vitesh.
Ndërsa komandanti Elmi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e madhe të Qendrës Stërvitore Ushtarake Turke për trajnimin e ushtarëve somalezë dhe falënderoi popullin dhe qeverinë e Turqisë për mbështetjen e pakursyer për vendin e tij.
Komanda e Task Forcës së Misionit Turk në Somali, nga ana saj bëri me dije përmes një komunikate të shkruar se oficerëve dhe nënoficerëve somalezë u mësohet po ashtu gjuha turke dhe se në fund të programit trajnues dhe stërvitor ata janë në gjendje të flasin rrjedhshëm turqishten.
Duke filluar që nga data 30 shtator 2017, qendra stërvitore ushtarake më e madhe e Turqisë jashtë shtetit trajnon oficerët dhe nënoficerët që do të formojnë bazën e ushtrisë somaleze.
Aktivitetet e Komandës së Task Forcës së Misionit Turk në Somali përbëjnë hapin më të rëndësishëm për rivendosjen e sigurisë në këtë vend, i cili kërcënohet nga lufta civile, thatësira dhe aktet terroriste./TRT



