Vdes një palestinez në burgun izraelit

Wissam Abd al-Majid Shalaldeh, 28 vjeçar palestinez, ndërroi jetë sot në burgun Ayalon të Izraelit, njoftoi Shoqëria e të Burgosurve Palestinezë me bazë në Ramallah

 Wissam Abd al-Majid Shalaldeh, 28 vjeçar palestinez, ndërroi jetë sot në burgun Ayalon të Izraelit, njoftoi Shoqëria e të Burgosurve Palestinezë me bazë në Ramallah, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas OJQ-së, autoritetet izraelite informuan familjen e Shalaldeh përmes telefonit për vdekjen e tij, arsyet për të cilën mbeten të paqarta.

Shaladeh, baba i katër fëmijëve nga fshati Saer pranë qytetit El-Halil në Bregun Perëndimor të pushtuar, u arrestua nga autoritetet izraelite në vitin 2015 për posedim të armëve ilegale dhe u dënua me shtatë vite burgim.

Shoqëria e të Burgosurve hodhi përgjegjësinë mbi Izraelin për vdekjen e Shalaldeh-ut, duke vënë në dukje se ai është palestinezi i katërt këtë vit që vdes duke qenë nën arrest të Izraelit.

Sipas shifrave palestineze, afërsisht 6.500 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përfshirë dhjetëra gra dhe të mitur.