Zyrtarët turq dhe sauditë do të zhvillojnë hetim në rezidencën e konsullit të përgjithshëm të Arabisë Saudite në Stamboll në lidhje me rastin e gazetarit të zhdukur Jamal Khashoggi, njoftuan burime të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët turq dhe sauditë kanë formuar një grup të përbashkët hetues për zbardhjen e rastit, i cili punimet i nisi ditën e djeshme me një hetim disa orësh në Konsullatën Saudite në Stamboll.
Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.
Autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë një shpjegim të qartë për atë që mund të ketë ndodhur me Khashoggin, ndërkohë që disa vende, veçanërisht Turqia, SHBA dhe Britania, kanë deklaruar që misteri duhet të zbardhet sa më parë.

