Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, u zhvillua në Tiranë konferenca me temë “Shqipëria 60 vjet në UNESCO”, raporton Anadolu Agency AA.
Në këtë konferencë ku ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar, zyrtarë të lartë të UNESCO-s si dhe akademikë, u diskutua për përvojat e Shqipërisë në UNESCO dhe rolin e kësaj organizate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se ndryshimet rrënjësore politike në vend dhe ndërveprimi me UNESCO-n e vendosi në qendër nevojën për mbështetjen për integrimin e vendit në botë dhe ndryshimin e imazhit.
“Në harkun kohor të tre dekadave Shqipëria është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive mbi diskutime madhore të axhendës së organizatës dhe ja ka dalë të përfshijë në regjistrat e ndryshëm të UNESCO-s një numër pasurish që nxjerrin në pah vlerat universal dhe të padiskutueshme të trashëgimisë tonë kulturore, shoqërore e natyrore si Butrinti, Gjirokastra, etj”, deklaroi Bushati.



