Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Donald Tusk, ka bërë thirrje për “hetim të plotë” dhe “dënim të fajtorëve” për rastin e gazetarit saudit të Washington Post, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Tusk tha se kanë shqetësime serioze në lidhje me lajmet se Khashoggi është vrarë.
Pasi ka bërë të ditur se pa një shtyp të lirë nuk mund të ketë edhe një shoqëri të lirë, Tusk ka theksuar se duhet të ndalet dhuna kundër gazetarëve.
“Bëj thirrje për kryerjen e një hetimi të plotë që të zbulojë se çfarë i ka ndodhur Khashoggi-t dhe të ndëshkohen përgjegjësit”, tha Tusk.
– Ngjarja
Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.
Sipas burimeve të sigurisë, Khashoggi më 2 tetor shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll për procedura të martesës, ndërsa më pas u konfirmua se nuk ka dalë më nga konsullata dhe se në të njëjtën orë në ndërtesën e konsullatës kanë mbërritur 15 qytetarë sauditë, përfshirë edhe zyrtarë të cilët më pas janë kthyer në vendet nga kishin ardhur.


