Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha se dënojnë fuqishëm vrasjen e gazetarit dhe bënë të ditur se nga Arabia Saudite presin transparencë në lidhje me prapaskenën e vrasjes.
Në deklaratën e përbashkët me shkrim të Merkel dhe Maas theksohet se “Është mësuar me pikëllim konfirmimi i vrasjes me dhunë të Jamal Khashoggi”.
Në deklaratë i përcillen ngushëllimet të fejuarës dhe të afërmve të gazetarit saudit dhe përdoret shprehja: “Dënojmë fuqishëm këtë ngjarje. Nga Arabia Saudite presim transparencë në lidhje me prapaskenën e vrasjes”.
Në deklaratë bëhet e ditur se përgjegjësit duhet të japin llogari dhe informacionet e dhëna Konsullata e Përgjithshme e Arabisë Saudite në Stamboll, janë të pamjaftueshme.
“Asgjë nuk është zbardhur ende. Sigurisht që kërkojmë zbardhjen e plotë të ngjarjes” tha Merkel në një fjalim të mbajtur në kongresin e Partisë së saj, Unionit Kristiandemokrat (CDU) në landin Thüringen, ku e cilësoi ngjarjen si të tmerrshme.
Edhe Maas, në një deklaratë të bërë për Kanalin e parë Televiziv të Gjermanisë ARD, në lidhje me pyetjen e shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite nga ana e Gjermanisë, tha se “Nuk shoh një bazë pozitive për eksportin e armëve ndaj Arabisë Saudite për sa kohë që vazhdon hetimi (për vrasjen e Khashoggi) dhe nuk ka dalë ende në shesh se çfarë ka ndodhur.
Arabia Saudite kishte bërë të ditur se Khashoggi, për të cilin nuk kishte informacion që nga data 2 tetor, kur hyri në Konsullatën e Përgjithshme në Stamboll “kishte vdekur si pasojë e një sherri që ndodhi në ndërtesën e konsullatës”./trt

