Kreu i Departamentit të Mjedisit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi në një konferencë për shtyp deklaroi se “Partia Demokratike denoncoi disa javë më parë planin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për të ndërtuar qiellgërvishtës brenda Parkut të Liqenit. Të dy heshtën dhe akoma nuk kanë dhënë llogari për vendimin e tyre, i cili lejon që kryeqytetit t’i hiqet një pjesë e mushkërisë së tij për t’u zëvendësuar me beton.
“Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kafshimi i Parkut të Liqenit për interesat e mafias së ndërtimit, të lidhur me bashkinë dhe me Qeverinë, është pjesë e Planit të ri të Tiranës”, nënvizoi Malltezi.
Malltezi u shpreh se “plani mafioz Rama-Veliaj ndryshoi Planin e vitit 2013, i cili ndalonte ndërtimet në çdo park apo lulishte të qytetit. Në kapitullin 7.4 të Planit 2013 duken qartë kufizimet dhe ndalimet e ndërtimeve në parqet dhe lulishtet e Tiranës. Në planin e ndryshuar kundër interesit të qytetarëve të Tiranës, hyrja e Parkut të Liqenit shënohet me fjalët “Shërbime + BANIM + Institucione”. Me pak fjalë kjo do të thotë beton masiv për Parkun e Liqenit”.
Ai u shpreh se “plani i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është që ta mbajnë në heshtje deri në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe qytetarët të mos keni informacion për këtë aferë të rëndë korruptive, për këtë krim mjedisor që shkatërron hyrjen e Parkut të Liqenit dhe shëndetin e qytetit”./atsh



