Kryeministrja britanike, Theresa May, paralajmëroi anulimin e vizave të të dyshuarve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).
May duke folur në sesionin “Pyetje për kryeministren” të Dhomës së Komunave, dhoma e ulët e parlamentit britanik, në lidhje me një pyetje rreth vrasjes së gazetarit saudit Khashoggi, tha se “Ministria e Brendshme është duke vepruar për parandalimin e hyrjes së të gjithë të dyshuarve në Britani. Në rast se këta persona posedojnë viza, këto do të anulohen”.
Ajo më tej theksoi se dënon në mënyrë më të fuqishme të mundshme vrasjen e gazetarit saudit. “Pas humbjes së tij në mënyrë shumë të qartë theksuam se Arabia Saudite duhet të bashkëpunojë me Turqinë, dhe të zhvilloj hetim të plotë dhe të besueshëm. Deklarata se Khashoggi ka humbur jetën në një zënkë nuk është e besueshme. Prandaj ekziston nevojë urgjente për të zbuluar saktësisht se çfarë ka ndodhur”, tha ajo.
May ka theksuar se në samitin e biznesit në Arabinë Saudite nuk kanë marrë pjesë asnjë zyrtar ministror i Britanisë. Kryeministrja britanike, sot do të zhvillojë një bisedë telefonike me mbretin saudit, Selman bin Abdulaziz, në lidhje me vrasjen e Khashoggit.



