Në Shqipëri për dekada me radhë artizanët kanë ruajtur traditat, ndërsa zejet kanë qenë të përhapura pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Sot rrobaqepësit profesionistë janë të rrallë, ndërsa ky profesion po vjen gradualisht të zbehet, por ka ende nga ata që edhe pse të moshuar nuk e kanë braktisur profesionin e tyre të vjetër.
Njëri prej tyre është rrobaqepësi Mexhit Lushi, 75 vjeç, i cili prej 61 vitesh e ushtron këtë zanat pa ndërprerje, të trashëguar nga gjyshi i tij. I lindur në Tiranë, Lushi fillesat në këtë profesion i ka që në moshën 14 vjeçare, fillimisht si kapelapunues.
Lushi, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon për fillesat e zanatit të tij, punën gjatë regjimit komunist, si dhe jep mesazhin që të rinjtë të përkushtohen në profesione të tilla dhe të ruajnë traditat. I moshuari tregon se këtë zanat e ka filluar që në vitin 1957, në moshën 14 vjeçare dhe shprehet se në këtë profesion ai e ndiente veten të privilegjuar.
Në tavolinën e tij të punës i shoqëruar me mjetet e profesionit që janë që nga koha e regjimit komunist, Lushi ushtron profesionin e tij në një ambient modest, që ai e konsideron të mjaftueshëm.
Lushi tregon se gjatë regjimit komunist ai punonte në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Tiranë, ku ishin rreth 800 punonjës, ndërsa sot numri i rrobaqepësve në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit është shumë i kufizuar, sidomos për moshat e vjetra.

