Në kryeqytetet e rajonit ambasadat turke organizojnë pritje për Ditën e Republikës

Në pritjet solemne të organizuara nga ambasadat turke morën pjesë krerët më të lartë shtetërorë, ndërsa u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Ambasadat turke në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë kanë organizuar pritje solemne me rastin e 95-vjetorit të Ditës së Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pritjet solemne të organizuara nga ambasadat turke morën pjesë krerët më të lartë shtetërorë, zyrtarë të tjerë të lartë, si dhe mysafirë të shumtë, ndërsa u lexua edhe mesazhi i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dërguar me rastin e Ditës së Republikës.

– Ambasadorja turke në Shkup: Populli turk ka një traditë të lashtë për ofrim ndihme që buron nga historia e saj

Në evenimentin e organizuar në Shkup morën pjesë kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, ministri i Brendshëm Oliver Spasovksi, ministri i Kulturës Asaf Ademi, krerët e partive turke në vend, deputetë, prijës fetarë, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, kori diplomatik dhe shumë qytetarë.

Ambasadorja Kara në fjalën e saj tha se uniteti si themel që ka mundësuar krijimin e Republikës ruan tërë frymën e tij edhe sot pas 95 viteve.

Kara tha se Turqia e fuqishme avancon me zell drejt të qenit një civilizim bashkëkohor përkundër të gjithë negativiteteve që kanë ndodhur përreth Turqisë, duke shtuar se Turqia me këtë zell ka eliminuar në mënyrë të vendosur të gjitha pengesat para saj, siç ishte tentativa për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016, dhe në këtë mënyrë ka arritur të jetë në mesin e fuqive në rritje në botë.

Ajo theksoi se populli turk ka një traditë të lashtë për ofrim ndihme që buron nga historia e dhe kultura e saj dhe se edhe në të ardhmen Turqia do të vazhdojë gjithnjë të jetë në anën e shteteve në nevojë dhe miqve të saj.

Kara u shpreh e lumtur që festojnë këtë ditë në Maqedoni, vend të cilin ajo tha se e cilësojnë si mike dhe vëllazërore. “Sepse në mes të Turqisë dhe Maqedonisë ekzistojnë lidhje historike, kulturore dhe njerëore, rrënjët e të cilëve datojnë 600 vite më parë. Bashkatdhetarët tanë që përbëjnë një forcë dhe pasuri për Maqedoninë dhe shtetasit turq me origjinë nga Maqedonia që jetojnë në vendin tonë, janë ndër elementet më të rëndësishme të urës së miqësisë mes vendeve tona”, deklaroi Kara.

Ambasadorja Kara theksoi se beson që marrëdhëniet Turqi-Maqedoni që fuqizohen nga lidhjet e forta dhe vazhdojnë në mënyrë të shkëlqyer do të vazhdojnë me intensitet të rritur në të ardhmen dhe do të mundësojnë dobi edhe më të mëdha mes popujve.

“Ashtu sikurse deri më sot, vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zhvillimin e Maqedonisë si një shtet stabil dhe të prosperuar dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike”, deklaroi ambasadorja e Turqisë, Tülin Erkal Kara.

Në kuadër të pritjes solemne, mysafirët kishin rastin të shohin edhe ekspozitën me titull “Zemra e fjalës” me vepra të piktorit dhe kaligrafit Ahmet Sula.

– Ambasadorja turke në Prishtinë: Republika e Turqisë sot një burim shprese për të gjithë komunitetet vëllezër dhe motra

Ndërkaq, në ceremoninë e pritjes në Prishtinë të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, zv/kryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Forcës së Sigurisë Rrustem Berisha, ministri i Zhvillimit Rajonal Rasim Demiri, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Shpend Maxhuni, deputetë nga parti të ndryshme, përfaqësues të misioneve diplomatike në Prishtinë, përfaqësues të institucioneve turke në Kosovë, përfaqësues të KFOR-it, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Më tej në fjalimin e saj Kılıç deklaroi se, “Forca kryesore për themelimin e Republikës sonë ishte uniteti, integriteti dhe solidariteti i kombit tonë. Republika e Turqisë sot është bërë një burim shprese për të gjithë komunitetet vëllezër dhe motra, dhe të gjithë ata të cilët janë në situata të vështira në rajonin tonë dhe gjithë botën. Kombi ynë ka ruajtur pozicionin e tij të drejtë kundër sprovave të sotme me të njëjtin unitet dhe integritet edhe pas 95 vjetësh”.

Ajo me këtë rast përkujtoi me respekt udhëheqësin Mustafa Kemal Ataturk dhe shokët e tij të luftës, si dhe ata të cilët sakrifikuan jetën e tyre për unitetin dhe integritetin, si dhe pavarësinë e Turqisë, ndërsa veteranevë iu shprehu mirënjohjet më të thella. Së fundi ajo uroi që miqësia Turqi-Kosovë të jetë konsoliduar edhe më tej dhe që popujt e të dy vendeve të kenë një të ardhme të ndritur.

Kurse kryeministri Haradinaj në një deklaratë për media me këtë rast deklaroi se, “Sot festuam së bashku ditën e Republikës së Turqisë në shenjë edhe falënderimi për gjithë përkrahjen që e ka bërë Republika e Turqisë për Kosovën. Ishte për mua nder për të qenë këtu në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Turqisë. Ambasadorja që me të vërtetë është një zonjë e respektuar, sot e dëshmoi edhe një herë se Turqia do të jetë me Kosovën”.

 Ambasadori turk në Tiranë: Krahas që jemi fqinj në aspektin historik, Shqipëria është një nga vendet më të afërta në zemrën tonë

Ndërsa në ceremoninë e pritjes në Tiranë, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ish-presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe Bujar Nishani, kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se Turqia me Shqipërinë ka marrëdhënie të miqësisë dhe vëllazërisë me rrënjë të thella dhe historike.

“Krahas që jemi fqinj në aspektin historik, Shqipëria është një nga vendet më të afërta në zemrën tonë. Shqipëria është fqinj në zemrën tonë. Qytetarët tanë me origjinë shqiptare, që janë në miliona në vendin tonë, janë shenjë konkrete e këtyre lidhjeve. Është fakt i pamohueshëm që popujt tanë janë të ndërthurur me lidhje familjare si mishi dhe thonjtë. Si ambasador i Turqisë, besoj thellësisht se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë do të kenë një të ardhme të ndritur”, theksoi në fjalën e tij ambasadori turk.

Ai rikujtoi se një nga marrëveshjet e para të miqësisë që nënshkrua në vitin 1923, kur u themelua Republika e Turqisë, u nënshkrua me Shqipërinë. “Marrëveshja e miqësisë së përjetshme dhe e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë”, paraqet, sipas tij, marrëdhëniet midis vendeve dhe popujve në formën më të qartë. “Prandaj, viti 2023, 100-vjetori i festimit të Ditës së Republikës sonë, do të jetë gjithashtu 100-vjetori i krijimit të marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë”, u shpreh ambasadori Yörük.

“Këto marrëdhënie u përforcuan tutje me nënshkrimin e ‘Deklaratës së Përbashkët Politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunim’ nga ministri ynë i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Me këtë dokument, marrëdhëniet tona bilaterale do të rriten në nivel të Partneritetit Strategjik. Në 100-vjetorin e themelimit, Republika e Turqisë synon suksese të reja politike, ekonomike dhe tregtare. Në të njëjtën kohë, në 100-vjetorin e ‘Marrëveshjes së miqësisë së përjetshme dhe të bashkëpunimit’, sinqerisht dëshiroj të shpreh urimet e mia për këto suksese në mirëqenie dhe prosperitet me Shqipërinë mike dhe vëllazërore”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Për të pranishmit në pritjen zyrtare u shërbyen gatime tradicionalë turke të përgatitura nga mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir.

Me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë organizon ceremoni dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.