Me rastin e 95-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, ambasada turke në Tiranë organizoi një pritje zyrtare.
Në ceremoninë e pritjes në Tiranë, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ish-presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe Bujar Nishani, kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se Turqia me Shqipërinë ka marrëdhënie të miqësisë dhe vëllazërisë me rrënjë të thella dhe historike. 
“Krahas që jemi fqinj në aspektin historik, Shqipëria është një nga vendet më të afërta në zemrën tonë. Shqipëria është fqinj në zemrën tonë. Qytetarët tanë me origjinë shqiptare, që janë në miliona në vendin tonë, janë shenjë konkrete e këtyre lidhjeve. Është fakt i pamohueshëm që popujt tanë janë të ndërthurur me lidhje familjare si mishi dhe thonjtë. Si ambasador i Turqisë, besoj thellësisht se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë do të kenë një të ardhme të ndritur”, theksoi në fjalën e tij ambasadori turk.
Ai rikujtoi se një nga marrëveshjet e para të miqësisë që nënshkrua u në vitin 1923, kur u themelua Republika e Turqisë, u nënshkrua me Shqipërinë. “Marrëveshja e miqësisë së përjetshme dhe e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë”, paraqet marrëdhëniet midis vendeve dhe popujve në formën më të qartë. Prandaj, viti 2023, 100-vjetori i festimit të Ditës së Republikës sonë, do të jetë gjithashtu 100-vjetori i krijimit të marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë“, u shpreh ambasadori Yörük.
“Këto marrëdhënie u përforcuan tutje me nënshkrimin e ‘Deklaratës së Përbashkët Politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë për Bashkëpunim’ nga ministri ynë i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Me këtë dokument, marrëdhëniet tona bilaterale do të rriten në nivel të Partneritetit Strategjik. Në 100-vjetorin e themelimit, Republika e Turqisë synon suksese të reja politike, ekonomike dhe tregtare. Në të njëjtën kohë, në 100-vjetorin e ‘Marrëveshjes së miqësisë së përjetshme dhe të bashkëpunimit’, sinqerisht dëshiroj të shpreh urimet e mia për këto suksese në mirëqenie dhe prosperitet me Shqipërinë mike dhe vëllazërore“, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.
Aktiviteti i zhvilluar nga ambasada turke në Tiranë nuk ishte vetëm një takim diplomatik. Festimet për 95 vjetorin e shpalljes së Republikës Turke u karakterizuan nga një atmosferë tejet miqësore.
Gatimet në kujdesin e një prej kuzhinireve më të mira të botës, Ebru Baybara Demir, ftuan pjesëmarrësit të provonin vlerat e kulinarisë turke nga e cila shqiptarët kanë trashëguar shumë.
***



