Shkodër, granatë në makinë punonjësit të tatimeve në Shkodër

Një punonjës i Tatimeve, i identifikuar si Nehat Zaganjorit, në qytetin e Shkodrës ka gjetur një granatë në makinën e tij, e cila për fat të mirë nuk ka shpërthyer.

Rreth 20-30 gramë tritol i është vendosur makinës në pronësi të një inspektori të tatimeve në Shkodër, ditën e djeshme. Lënda eksplozive, fatmirësisht nuk shpërtheu, ndërsa mësohet se ishte me magnet.

Burime nga policia e Shkodrës, kanë bërë të ditur se sasia e lëndës së eksplozivit ishte vendosu në pjesën e pasme të makinës, tek targa, ndërsa automjeti ndodhej i parkuar pranë një lokali në afërsi të banesës së tij. Patrulla e policisë i ka vendosur një gjobë mjetit në fjalë pasi kishte parkuar në kundërvajtje.

Ka qenë një i njohur i inspektorit që ka dalë për të parë gjobën, kur ka konstatuar në mjet lëndën plasëse. Menjëherë ka njoftuar Nehat Zaganjorin.

Ky i fundit bashkë me shokët e tij e kanë goditur me këmbë lëndën plasëse duke e hedhur në tokë ndërsa nuk ka shpërthyer në asnjë moment.

Më pas është njoftuar policia dhe është pritur ardhja e grupit antieksploziv nga Tirana. Fillimisht nga forma e saj dhe duke qenë se ishte e mbështjellë me një letër dukej si një granatë por rezultoi se ishte një sasi tritoli prej rreth 20-30 gram.

Makina nuk kishte më shumë se 45 minuta e parkuar në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg” ndërsa tritoli është vënë re në një orë kur ka lëvizje të atë zonë, rreth orës 19:30.

Shtetasi Nehat Zaganjori ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person dhe se e vetmja arsye e vendosjes së tritolit në mjetin e tij mund të jetë për shkak të detyrës si inspektor tatimesh në Shkodër.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se shtetasi në fjalë ka deklaruar se po gjatë ditës së djeshme ka marrë një mesazh kërcënues nga një numër i panjohur.