“Për të gjurmuar Khashoggin është përdorur programi spiun i kompanisë izraelite”

"E vërteta është se ata (sauditët) kanë gjurmuar disa shokë të tij (të Kashoggit) falë një programi të një kompanie izraelite", tha Snowden

Ish-analisti i sistemit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve (NSA), Edward Snowden, pretendon se një program spiun që i përkiste kompanisë softuerike izraelite NSO Group është përdor muajin e kaluar për të gjurmuar gazetarin saudit Jamal Khashoggi, i cili u vra në Konsullatën e përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Snowden, nëpërmjet video-konferencës ka marrë pjesë nga “një vend i panjohur” nga Rusia në një konferencë të zhvilluar në Tel Aviv dhe ka bërë disa vlerësime për softuerët spiunë (spyware) në botë.

Ai ka bërë të ditur se programi spiun që disa kompani softuerike si kompania izraelite NSO Group ua kanë shitur qeverive janë përdorur për të gjurmuar opozitarët.

“Sigurisht që sauditët ishin në dijeni se Khashoggi do të shkonte në konsullatë sepse kishin lënë takim, por si mund të kishin dijeni ata për qëllimin dhe planet e tij?”, ka pyetur Snowden duke përmendur vrasjen e Khashoggit.

Lidhur me vrasjen, Snowden pretendon se programi spiun Pegasus i kompanisë NGO është instaluar edhe në telefonin e një shoku të Khashoggit i cili jeton në mërgim në Kanada.

“E vërteta është se ata (sauditët) kanë gjurmuar disa shokë të tij (të Kashoggit) falë një programi të një kompanie izraelite”, tha Snowden duke shtuar se falë programit të instaluar në telefonin e shokut, sauditët kanë mbledhur informacione rreth Khashoggit.

Sipas raportit të publikuar një ditë para vrasjes së Khashoggit, nga grupi hulumtues The Citizen Lab në Kanada, është zbuluar instalimi i programit Pegasus në telefonin e Omer Abdulaziz i cili është shok i Khashoggit i cili është një opozitar kundër qeverisë saudite dhe që jeton në Kanada.

Programi Pegasus i cili lejon gjurmimin pothuajse pakufi të telefonave celularë llogaritet si “aplikacioni spiun më i fortë në botë për celularët”.

Edward Snowden, në vitin 2013 publikoi në media informacione konfidencale të NSA-së duke shkaktuar një skandal të spiunazhit kibernetik. Ai zbuloi se shërbimet inteligjente amerikane gjurmojnë regjistrat e telefonave dhe të internetit të miliona njerëzve në të gjithë botën dhe me besimin se nuk do të kishte një gjykim të drejtë në vendin e tij ai u largua nga SHBA-ja. Ndërsa Rusia i ka dhënë leje qëndrimi Snowden-it në vend deri në vitin 2020.