Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se reformat në OKB do të ishin një nga kontributet më të rëndësishme për multilateralizmin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Unë do të vazhdoj të mbështes përpjekjet në këtë drejtim”, tha Guterres në adresimin e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar paqes globale.
“Ne jemi në një periudhë kur konfliktet e armatosura, ndryshimet klimatike, pabarazia dhe luftërat tregtare janë në rritje”, tha Guterres, duke shtuar se në rrethanat ekzistuese duhet të rinovohet bashkëpunimi ndërkombëtar.
Ai theksoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka një rol kyç për të mbështetur vlerat siç janë bashkëpunimi ndërkombëtar dhe multilateralizmin.
Guterres potencoi nevojën për të gjetur mënyra të reja në luftën kundër kërcënimeve të sigurisë në botë.



