Budvë, fillon takimi rajonal i ministrave të Mbrojtjes

Markoviç përkujtoi se Mali i Zi është i angazhuar vazhdimisht për një politikë të dyerve të hapura për të gjitha vendet aspirante, si brenda NATO-s ashtu dhe atyre në kuadër të Kartës

Në Budvë të Malit të Zi ka filluar takimi i ministrave të Mbrojtjes të Kartës SHBA-Adriatik A-5. Kjo është ngjarja përfundimtare e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi në kuadër të kryesimit me këtë nismë për këtë vit, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi u hap me fjalimin e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç. Ai tha se me hyrjen e Malit të Zi në NATO është përmbushur një nga qëllimet më të rëndësishme të politikës së jashtme dhe objektivave kombëtare, duke shtuar më tej se për këtë një rol të padiskutueshëm kishte Karta SHBA-Adriatik dhe se procesit të anëtarësimit mbështetje shumë të vlefshme i ka dhënë SHBA si një mike dhe aleate e Malit të Zi.

Duke folur rreth kryesimit të Malit të Zi me Kartën SHBA-Adriatik, Markoviç përkujtoi se Mali i Zi është i angazhuar vazhdimisht për një politikë të dyerve të hapura për të gjitha vendet aspirante, si brenda NATO-s ashtu dhe atyre në kuadër të Kartës.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e forcimit të besimit rajonal dhe mbështetjen e ndërsjellë të vendeve fqinje, kjo ka qenë një prioritet kyç i Malit të Zi këtë vit. Prandaj jemi të lumtur veçanërisht me ftesën që mori Maqedonia për fillimin e negociatave për anëtarësim në NATO në samitin në Bruksel, si dhe mesazhet inkurajuese të dërguara për miqtë tanë në Bosnjë e Hercegovinë. Ne jemi të bindur se Maqedonia së shpejti do të bëhet anëtarja e katërt e Kartës, e cila është aleate e NATO-s”, tha kryeministri malazez.

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviç, tha se sot Evropa Juglindore përballet me sfida të sigurisë të cilat reflektohen në nivel kombëtar dhe global.

Gjatë takimit të sotëm fjalim mbajti edhe Lora Cooper, ndihmës asistente e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Në takimin e sotëm në Budvë, përveç ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviç, gjithashtu marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Olta Xhaçka, Kosovës, Rrustem Berisha, Maqedonisë, Radmila Shekerinska, Kroacisë, Damir Krstiçeviç, BeH-së, Marina Pendesh. Gjithashtu, në takim merr pjesë edhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë, Milosh Bizjak dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Zhivkoviç.

Gjatë ditës do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët e ministrave të Mbrojtjes të Shteteve Anëtare të A-5. Gjithashtu, është planifikuar një konferencë e përbashkët për media.