Greqi, punonjësit e sektorit publik në grevë 24 orëshe

Greva organizohet me thirrjen e Federatës së Punonjësve Publikë (ADEDY), ndërsa protestuesit organizuan demonstrata në Athinë

Punonjësit e sektorit publikë në Greqi kanë shkuar në një grevë 24 orëshe me kërkesë për tërheqjen e masave shtrënguese dhe rritjen e rrogave, raporton Anadolu Agency (AA).

Greva organizohet me thirrjen e Federatës së Punonjësve Publikë (ADEDY), ndërsa protestuesit organizuan demonstrata në kryeqytetin e vendit, Athinë.

Mijëra punonjës të sektorit publik dhe punëtorë marshuan deri tek ndërtesa e parlamentit, duke kërkuar rimbursimin e ndërprerjeve të bëra në kuadër të masave shtrënguese si dhe rritjen e të drejtave sociale.

Për shkak të grevës ndodhën ndërprerje në shërbimet publike, komuna dhe spitale.

Sindikatat kërkojnë ringritjen e pagave të cilat janë ulur për rreth 40 për qind, rimbursimin e ndërprerjeve të bëra në kuadër të masave shtrënguese dhe rritjen e pensioneve.

Pas përfundimit të paketave 8 vjetore shpëtuese më muajin gusht të këtij viti, qeveria greke kishte premtuar reduktimin e taksave në disa fusha dhe rritjen e pagës minimale.

Por për të bërë këtë administrata e Athinës duhet të marrë miratimin e kreditorëve prej të cilave ka marrë borxh.

Së fundmi Parlamenti i Greqisë kishte miratuar rregulloren e cila parasheh për një rimbursim prej 820 milionë eurove për punonjësit publik.