Fundoset motoskafi me emigrantë në Turqi, një i vdekur

Fatkeqësia ndodhi në Detin Egje, në Bodrum dhe u shpëtuan 10 persona të cilët u shtruan në spital

Të paktën një person humbi jetën dhe 10 u shpëtuan pasi një motoskaf me emigrantë të paregjistruar u fundos në Detin Egje pranë Bodrumit, raporton Anadolu Agency (AA).

Një anije mallrash që lundronte me flamurin e Panamasë në orët e mëngjesit lajmëroi Rojën Bregdetare Turke se kanë parë një motoskaf që po fundosej me disa njerëz në të.

Roja bregdetare dërgoi ekipet e shpëtimit në terren dhe gjetën emigrantët e aksidentuar dhe motoskafin, i cili pothuaj se ishte fundosur.

Ekipet e shpëtimit nxorrën trupin e pajetë të një emigranti dhe nga uji shpëtuan 10 emigrantë të paregjistruar nga Siria, Palestina dhe Egjipti.

Dy emigrantë janë shtruar në spital.

Rajonet perëndimore bregdetare të Turqisë Çanakala, Balikesir, Izmir, Mugla dhe Aydin janë rrugët kryesore për emigrantët e paregjistruar që përpiqen të kalojnë në ishujt grekë përmes Detit Egje dhe pastaj të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Evropës Perëndimore.