Mevlut Çavuşoğlu: Duhet të zbulojmë se kush urdhëroi vrasjen e Khashoggit

"Turqia nuk e konsideron vrasjen e Khashoggit si çështje politike, por si një vrasje që duhet ndriçuar deri në fund", ka thënë kryediplomati turk, duke shtuar se shumë vende në botë nuk duan të rrezikojnë marrëdhëniet me Riadin

 Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pas një takimi në SHBA me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, theksoi se Turqia ishte e vendosur për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes së vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia këmbëngul për zbardhjen e plotë të vrasjes së Khashoggit, këtë ia kemi thënë edhe SHBA-ve”, u ka thënë Çavuşoğlu gazetarëve në Washington, pas takimit me homologun amerikan.

“Turqia nuk e konsideron vrasjen e Khashoggit si çështje politike, por si një vrasje që duhet ndriçuar deri në fund”, ka thënë kryediplomati turk, duke shtuar se shumë vende në botë nuk duan të rrezikojnë marrëdhëniet me Riadin.

“Shumë vende nuk duan të lëkundin marrëdhëniet e tyre me Arabinë Saudite për vrasjen e Khashoggit. As ne nuk duam, por vrasja duhet të zbardhet”, ka thënë Çavuşoğlu, duke shtuar se është e rëndësishme që të ofrohen përgjigje për të gjitha pyetjet që nuk janë të qarta.

“Është e nevojshme të gjejmë se kush e urdhëroi vrasjen e Khashoggit. Ka shumë pyetje për të cilat nuk ka përgjigje në lidhje me këtë rast”, ka thënë Çavuşoğlu.

Ai iu referua edhe bashkëpunimit midis SHBA-ve dhe Turqisë në Siri, duke kujtuar udhërrëfyesin e përbashkët për Munbixh.

“Ekipet turko-amerikane do të takohen në ditët e ardhshme në mënyrë që udhërrëfyesi për Munbixhin të zbatohet dhe në rajone të tjera”, tha Çavuşoğlu.

Në fund, ai gjithashtu theksoi se Turqia kërkon nga SHBA-të të ekstradojë anëtarët e organizatës terroriste FETO, e cila u përpoq të kryente grusht shtetin ushtarak në Turqi.

“Turqia i ka dorëzuar SHBA-ve një listë prej 84 anëtarësh të FETO-s, që kërkojmë të ekstradohen”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë.