Gjermania do ta miratojë marrëveshjen për Brexit

"Si qeveri e Gjermanisë ne do ta miratojmë marrëveshjen", tha Merkel duke shtuar se marrëveshja për Brexit pritet të nënshkruhet të dielën

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendi i saj do të miratojë marrëveshjen për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit), transmeton Anadolu Agency (AA).

Merkel, në një fjalim në kontekstin e bisedimeve buxhetore në Asamblenë Federale, shprehu keqardhjen për largimin e Britanisë nga BE-ja, por se në këtë çështje ata e respektojnë vendimin e Britanisë.

“Si qeveri e Gjermanisë ne do ta miratojmë marrëveshjen”, tha Merkel duke shtuar se marrëveshja për Brexit pritet të nënshkruhet të dielën.

Merkel tërhoqi vëmendjen se Spanja ka rezerva lidhur me marrëveshjen. “Nuk do të mund të shprehem se si do ta zgjidhim këtë çështje. Shpresoj që deri të dielën të gjendet një zgjidhje”, tha ajo.

Sipas saj, problemi kufitar mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës është një çështje e vështirë. Merkel theksoi se Britania nuk mund ti japë fund në mënyrë të njëanshme Bashkimit Doganor dhe se datën e kësaj ajo duhet ta përcaktojë me BE-në.

“Dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira në të ardhmen me Britaninë dhe se do të bëhen përpjekje që me këtë vend të mbetemi miq dhe partnerë në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi Merkel.

– Kancelarja gjermane mbeshtet paktin e OKB-së per migracionin

Angela Merkel, ka shprehur mbështetjen e saj për paktin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për migracionin, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar mund të arrihet një zgjidhje për sfidat globale.

“Ne kemi përjetuar atë se çështjet e zhvendosjes dhe migrimit mund të adresohen vetëm në kontekst ndërkombëtar, jo çdo vend mund ta adresojë këtë problem i vetëm”, tha Merkel, duke iu referuar flukseve të refugjatëve sirianë që nga viti 2015.

Kancelarja Merkel vlerësoi suksesin e marrëveshjes për refugjatët midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë në luftën kundër migracionit të parregullt dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së refugjatëve sirianë.

Ajo theksoi se Pakti Global i OKB-së për Migracionin nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm, por do të përcaktojë udhëzimet për shtetet mbi çështjet e migrimit dhe azilit.

“Me këtë pakt, kërkojmë përgjigjet e duhura. Ne jemi në fillim, po përpiqemi të gjejmë së bashku zgjidhje ndërkombëtare për problemet globale”, tha Merkel.

Marrëveshja historike e OKB-së për migracionin u konkludua në muajin korrik, pas diskutimeve dy-vjeçare midis shteteve anëtare.

Marrëveshja jo-detyruese ligjore, e cila synon ta bëjë migrimin më të rregullt dhe më të sigurt në mbarë botën, zyrtarisht do të miratohet në një konferenecë ndërkombëtare që do të mbahet në Marok më 10 dhe 11 dhjetor.

Qeveritë populiste në Austri, Poloni dhe Hungari, si dhe në disa vende të tjera përfshirë SHBA-të, Izraelin dhe Australinë, së fundmi kanë njoftuar se nuk do të nënshkruajnë marrëveshjen, duke pretenduar se kjo mund të dëmtojë sovranitetin e tyre dhe politikat e migracionit.