Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se “nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian presim më shumë mbështetje në luftën tonë kundër terrorizmit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për media me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn të cilët ndodhen në Ankara për takimin “e dialogut politik të nivelit të lartë Turqi-BE”.
Ai bëri të ditur se kanë plotësuar seancën e parë të takimit dhe se në drekën e punës do të diskutojnë për çështjet rajonale. “Takimet e dialogut politik të nivelit të lartë kanë dy objektiva. E para, të vlerësojmë çdo dimension të marrëdhënieve tona me BE-në dhe e dyta të shkëmbejmë idetë për çështjet rajonale, të sigurisë dhe politikat tona të jashtme”, tha Çavuşoğlu.
Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, Çavuşoğlu theksoi se Turqia si një vend kandidat ka për objektiv anëtarësimin e plotë në BE. “Kundër nesh nuk duhet të vendosen pengesa politike. Nuk është e nevojshme të bëhen deklarata duke përjashtuar Turqinë në procesin e pranimit në BE apo mohimin e kandidaturës së saj”, tha ai.
Sipas tij, pengesat politike sjellin pengesë për rritjen, prosperitetin dhe stabilitetin politik të BE-së.
Çavuşoğlu ka tërhequr vëmendjen se në vitet e kaluara edhe Turqia dhe BE-ja janë përballur me sulmet terroriste dhe ka shtuar më tej duke shprehur se bashkëpunimi i ngushtë me BE-në do të jetë në të mirën e të dy palëve edhe për çështjen e luftëtarëve të huaj terroristë si edhe për elementët që ushqejnë terrorizmin në rajon.



