Zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA kanë shqetësuar botën, duke krijuar një krizë të re globale, tha kryetari i parlamentit turk, Binali Yıldırım, raporton Anadolu Agency (AA).
Yıldırım, i cili mori pjesë në një forum ekonomik në Izmir, kritikoi politikat e qeverisë amerikane pasi presidenti Donald Trump mori detyrën në nëntor të vitit 2016.
“Sidomos pas zgjedhjeve në SHBA, bota u bë më e polarizuar. Proteksionizmi dhe vendimet arbitrare (të qeverisë amerikane) kanë përshpejtuar një krizë të paparashikueshme globale”, tha ai.
Yıldırım shtoi se sanksionet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të imponuara nga Washingtoni mbi Turqinë, Iranin dhe Rusinë ndikuan në gjithë rajonin.
Ai tha se problemet rajonale në Lindjen e Mesme kanë rikthyer kërcënimet kundër Turqisë.
“Ky kaos në afërsi të Turqisë na prek dhe Turqia po paguan çmim të madh. Kemi paguar për tetë vjet, por nuk i injorojmë ato. Ne u zgjasim dorën e ndihmës njerëzve në probleme”, tha Yıldırım, duke iu referuar luftës civile në Siri dhe përpjkejeve të Turqisë për të ndihmuar refugjatët sirianë.
“Vendet që kanë qëllime imperialiste kanë vështirësi ta kuptojnë këtë, sepse gjithçka e shohin si para”, shtoi ai.
Ndryshe, Turqia strehon 3.5 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.



