UNICEF organizon samit mbi internetin e sigurt për fëmijët në Shqipëri

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto De Bernardi, tha se nga institucionet ka ende shumë më tepër për t'u bërë, për t'i mbrojtur fëmijët nga rreziqet në internet

 Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në Shqipëri ka organizuar për herë të parë një samit me temë “Një internet më i mirë për fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri”, i cili kishte për qëllim përhapjen e ideve novative, për të kontribuar në Planin e veprimit të Qeverisë së Shqipërisë për një internet më të mirë dhe më të sigurt për fëmijët, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti njëditor ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, përfaqësues të ministrive të ndryshme të Shqipërisë, ekspertë, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të forumit, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto De Bernardi, tha se nga institucionet ka ende shumë më tepër për t’u bërë për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet në internet.

“Ndërsa qeveria dhe sektori privat kanë bërë disa përparime për të hartuar dhe zbatuar disa nga politikat që ndihmojnë për të eliminuar rreziqet në internet për fëmijët, ka shumë më tepër për t’u bërë, për t’i mbrojtur ata nga rreziqet në internet. Me gjithë këtë numër të lartë dhe të shpejtë të fëmijëve dhe veçanërisht fëmijët më të vegjël që hyjnë që hynë në internet, ekziston nevoja urgjente për të kuptuar plotësisht jetën dhe përvojat e fëmijëve në internet dhe për të siguruar qasje në përmbajtje të sigurt dhe cilësore”, tha Roberto De Bernardi.

Ndërsa përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Dhunën Kundër Fëmijëve, Marta De Santos Pais, në një video mesazh theksoi se për çështjet e internetit nevojitet që shtetet të gjejnë zgjidhje që udhëhiqen nga interesi më i lartë i fëmijës.

“Qoftë për çështje të internetit apo të tjera, nevojitet që shtetet të gjejnë zgjidhje që udhëhiqen nga interesi më i lartë i fëmijës, mbrojtja e fëmijës nga diskriminimi dhe respekti dhe promovimi aftësive të fëmijës për të vepruar në mënyrë të pavarur. Disa aspekte të tjera thelbësore të përgjegjësive të shteteve palë në këtë fushë janë garantimi i eliminimit të dhunës dhe abuzimit të fëmijëve në internet, të drejtës së informimit, të drejtës për zgjidhje efektive dhe i rimëkëmbjes dhe ri-integrimit të tyre”, u shpreh De Santos Pais në video mesazhin e saj.

Sipas UNICEF-it, detyrimet për të mbrojtur fëmijët gjatë jetës online mbeten tek qeveritë, familjet dhe komunitetet, por sipas tij, sektori privat sidomos industritë e teknologjisë dhe telekomunikacionit duhet të përmbushin përgjegjësinë e tyre për të formuar një botë më të sigurt online për fëmijët.