Lideri i shumicës së partisë republikane në Senatin e SHBA-ve, Mitch McConnell, e përshkroi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi si “një akt që ngjall urrejtje” dhe shtoi se Kongresi Amerikan do t’i përgjigjet Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
McConnell, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Presidentit amerikan, Donald Trump, në Kongres dha një deklaratë në lidhje me gazetarin Khashoggi i cili u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll dhe lidhjen e zyrtarëve sauditë me vrasjen.
Në deklaratën, McConnell, i cili duket se nuk pajtohet me fjalët e Trumpit mbi këtë çështje, tha se përfshirja e administratës saudite në vrasjen e Khashoggit është miratuar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).
“Vrasja e kryer nga sauditët është kundër çdo gjëje që SHBA-të kanë mbrojtur në botë. Prandaj, duhet t’u jepet një lloj përgjigjeje ndaj kësaj dhe aktualisht po diskutojmë se çfarë duhet të jetë kjo përgjigje e përshtatshme”, tha McConnell.
Ai thekson se Arabia Saudite është një partner strategjik i SHBA-ve dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme për Lindjen e Mesme.
“Pavarësisht se kush ndodhet në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite kanë qenë gjithmonë pragmatike. Ne e vlerësojmë kundërshtinë e administratës saudite ndaj Iranit dhe askush nuk dëshiron të shkëputë plotësisht marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite, por ndaj kësaj duhet të jepet një lloj përgjigje e përshtatshme dhe ne do të vazhdojmë të flasim për këtë”, thotë McConnell.
Kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan, republikani Bob Corker, tha se ata e dinë që Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Selman është i përfshirë në vrasje.
“Jemi mjaft të sigurtë se princi saudit është përfshirë në vrasjen e gazetarit. Të paktën institucioni që drejton duhet të mbajë përgjegjësi për kryerjen e kësaj vrasjeje. Nuk dëshirojmë ‘të djegim jorganin për një plesht‘ por duhet të paguhet një çmim”, ka thënë Corker.



