Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i është drejtuar në mënyrë indirekte ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak në vitin 2015 me qëllim blerjen e teknologjisë kibernetike izraelite të përgjimit, ka shkruar e përditëshmja izraelite Haaretz, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës, një individ i cili ka thënë se përfaqësonte princin Mohammed bin Salman, i cili shërbente si zëvendës i princit të kurorës në atë kohë, kishte telefonuar Barak-un, i cili kishte shërbyer si kryeministër izraelit nga viti 1999 deri në vitin 2001, duke thënë se dëshironte ndihmën e Barak-ut për blerjen e teknologjisë kibernetike izraelite që do t’i mundësonte regjimit saudit të përgjonte bisedat telefonike.
Në një përgjim të vitit 2015, e cila thuhet të jetë siguruar nga Haaretz, telefonuesi, shkruan gazeta, “i ofroi Barak-ut një rol në një kompani që kishte themeluar, duke përmendur gjithashtu disa firma izraelite, teknologjia e të cilave i interesonte sauditëve”.
Në një deklaratë, Barak, i cili në kohë të ndryshme ka shërbyer edhe si ministër i jashtëm i Izraelit dhe ministër i mbrojtjes, pohoi se ai “hodhi poshtë ofertën e bërë në telefonatë, që vinte nga Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Sipas Haaretz, telefonuesi gjithashtu i ka treguar Barak-ut për një “mundësi interesante biznesi” dhe ka vazhduar të përmendte një takim në Dubai që kishte ndodhur disa javë më parë me zyrtarët sauditë.
Siç thuhet, telefonuesi gjithashtu thotë se gëzon besimin “e dy burrave në linjë pas mbretit”, referim për Mohammed bin Salman dhe vëllain e tij Khalid.
Në deklaratën e tij, Barak pohoi se ai “kurrë nuk ka tregtuar armë, sisteme ushtarake apo sisteme mbrojtëse në asnjë fazë të aktiviteteve të tij biznesore”.
Edhe pse marrëveshja e propozuar duket se nuk është materializuar, zyrtarët sauditë kanë vazhduar të tregojnë interes për teknologjinë kibernetike izraelite.
Vitin e kaluar, Haaretz njoftoi se zyrtarët sauditë kishin biseduar me firmën NSO Group Technologies, selia e së cilës ndodhet në qytetin izraelit Herzliya.



