Astana, përfundon raundi i 11-të i bisedimeve të paqes për Sirinë

Gjatë bisedimeve u mbajtën takime konsultative dypalëshe dhe trepalëshe ndërsa në takimin kryesor morën pjesë edhe delegacioni i regjimit sirian dhe përfaqësues të opozitës siriane

 Si vende garantuese të procesit të paqes për Sirinë i cili mbahet në Astana, Turqia, Rusia dhe Irani në takimin e djeshëm shprehën shqetësimet për shkeljet e armëpushimit të arritur dhe paralajmëruan intensifikimin e aktivitete vëzhguese në terren, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, përfundoi raundi i 11-të i bisedimeve dy-ditore të paqes për Sirinë, ndërsa kryediplomati kazak dhe nikoqiri i bisedimeve Kayrat Abdurahmanov lexoi deklaratën e përbashkët të pjesëmarrësve.

Gjatë bisedimeve u mbajtën takime konsultative dypalëshe dhe trepalëshe, ndërsa në takimin kryesor morën pjesë edhe delegacioni i regjimit sirian të Bashar al-Asad dhe përfaqësues të opozitës siriane.

Deklarata e përbashkët nënvizon sovranitetin e padiskutueshëm dhe integritetin territorial të Sirisë dhe paralajmëron vazhdimin e luftës kundër organizatave terroriste nga lista e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me theks luftën kundër DEASH-it dhe Frontit Nusra.

Turqia, Rusia dhe Irani u zotuan se do të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta në procesin e zgjidhjes së kirizës siriane dhe kundërshtuan të gjitha idetë separatiste për Sirinë.

Të gjithë pjesëmarrësit dakordohen për domosdoshmërinë e ruajtjes së armëpushimit dhe zbatimit të marrëveshjes për krijimin e zonave të de-eskalimit në Idlib.

Vendet garantuese shprehën shqetësime rreth shkeljes së armëpushimit dhe paralajmëruan intensifikimin e aktiviteteve vëzhguese në terren.

Pjesëmarrësit u pajtuan gjithashtu në dënimin e përdorimit të armëve kimike të ndaluara dhe nevojën se të gjitha pretendimet e incidenteve të tilla të hetohen nga Organizata përkatëse për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Vendet garantuese gjithashtu kërkuan përshpejtimin e procesit të formimit të komisionit kushtetues, e cila do të jetë në axhendën e procesit paqeruajtës të OKB-së.

Vazhdimi i negociatave për shkëmbimin e të burgosurve në Siri dhe përmirësimi i kushteve për kthimin e refugjatëve sirianë janë gjithashtu çështje që janë pajtuar të gjitha palët në negociata.

Raundi tjetër i bisedimeve të paqes siriane në Astana është caktuar për në shkurt të vitit të ardhshëm.